Gjini: Për presidentin ka përfunduar gjithçka

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë, ku ka treguar se si është zhvilluar diskutimi brenda Aleancës lidhur me vendimin për të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit. Gjithashtu ai tha se për çështjen e presidentit ka përfunduar gjithçka, raporton Ekonomia Online.

Gjini tha se në mesin e deputetëve nuk ka pasur asnjë kundërshtim ndaj këtij qëndrimi, ndërsa vetëm një anëtar i Kryesisë ka pasur mendim ndryshe.

“Asnjë prej deputetëve nuk ka qenë kundër. Një anëtar i Kryesisë e ka ndarë mendimin ndryshe, një prej anëtarëve prezentë, vetëm një. E vlerësojmë si proces të vullnetit tani, korrekt për këtë tema”, tha ai.

Ai tha se, sipas bindjes së tij, Kuvendi mund të konstituohet edhe nesër, por një veprim i tillë do të ishte jashtë normës kushtetuese.

“Çfarë do të thotë nesër, shikoni, për bindjen time, prej asaj që po e kuptoj edhe çka po shoh që po ndodh me Kosovën në këtë epokë të mashtrimit të madh, ne mundemi me pa që edhe nesër do të konstituohet Kuvendi”, u shpreh Gjini.

Megjithatë, Gjini tha se edhe nëse Kuvendi konstituohet, kjo do të ndodhte në kundërshtim me Kushtetutën.

“E, sikur të konstituohet nesër, do të jetë jashtë normës kushtetuese, është jashtë kushtetuese. Por besoj unë se jo këto maskarallëqe që i kemi parë më herët, edhe mo nuk befasohem, nëse edhe nesër, edhe në këtë situatë jashtë kushtetuese, nuk konstituohet Kuvendi.”

I pyetur nëse Aleanca do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, Gjini tha se kjo është rruga që duhet ndjekur.

“Kosova nuk ka qysh me ecë përpara nëse partitë politike nuk i referohen Gjykatës Kushtetuese. Edhe përgjigjja është: po, tashmë herët, do të koordonoheni me parti të tjera deri tash opozitare, edhe do t’i referohen Gjykatës Kushtetuese, patjetër. Duhet me e parë normal që edhe materiali duhet me qenë serioz dhe duhet të ketë një punë të mirë”, u shpreh ai.

Gjini u pyet edhe për takimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me partitë politike lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe për deklaratat e tij se nuk mund të përfshihen në programin qeverisës pika të partive që nuk kanë fituar zgjedhjet.

Ai tha se, sa i përket zgjedhjes së presidentit, për Aleancën tashmë ka përfunduar gjithçka.

“Fillimisht duhet me u thënë që ka përfunduar gjithçka edhe për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Fatkeqësisht, vetë Kurti e ka sjellë Kosovën në këtë ditë që çfarëdo që merret vendim sot, është jashtëligjshëm edhe jashtë kushtetues, fatkeqësisht”, theksoi ai.

Gjini tha se në këto rrethana nuk ka më logjikë të flitet për oferta apo kushte, ndërsa Kurtit, sipas tij, duhet t’i kujtohen parimet bazë të demokracisë.

“Çështja tjetër është edhe pse nuk ka logjikë me folur për rrethana, për kushte, për oferta, duhet me u thënë diçka është një ABC demokratike me ja tregu zotit Kurti”, tha ai.

Ai theksoi se partitë politike garojnë me programe të ndryshme dhe se, kur një parti nuk i siguron votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, duhet të negociojë me subjektet e tjera.

“Nëse në një demokraci çfarë ne po pretendojmë me e ndërtuar Kosovën, cilën po e shkel ai. Partitë politike garojnë me programe të ndryshme. Nëse nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për me ecë përpara, ai me program të vetin që s’e ka pasur hiç, duhet me negociuar me parti të tjera të cilat kanë programe të tjera. Nëse ai thotë “nuk dua me i marrë pikat e një partie tjetër, pse na me ja mbeshtet pikat e atij?” demokracia funksionon në këto rrethana. Dialogu në demokraci, bisedimet në demokraci, negociata politike në demokraci, pikërisht për këtë arsye ndodhin, se kërkush nuk ka fituar mjaftueshëm që me bërë çfarë të dojë vetë, tha Gjini tutje.

Gjini gjithashtu komentoi raporton e PISA-s për vitin 2025, ai kritikoi Ministrinë dhe Qeverinë.

“A ka dikush që nuk e ka ditur që sistemi arsimor në Kosovë është në një situatë jashtëzakonisht te keqe? Kush nuk e ka ditur? të gjithe e dim: problemi nuk është pozicionimi tash. Problemi është që ka shkuar tu përkeqësuar. Se ne nuk e kishim gjykuar as ministrinë e arsimit, as nuk e kishim gjykuar qeverinë, nëse edhe pse mesimin në fund të fundit e kemi bërë një përparim, janë njohur ato përparime. Po nëse ju e shihni çka po ndodhë, është që po shkon e po bëhet më keq.
Edhe a nuk është kjo ekzakt çka ju ka thënë aleanca mediave dhe qytetarëve që një kohë të gjatë? A nuk është kjo ekzakt çka e kemi thënë? Dini pse ndodh kështu? Se krejt është fals, krejt është mashtrim, këta shtiren që po bëjnë diçka.
Shikoni, testi i PISA-s është pikërisht ajo mbreti është lakuriq, siç po e thotë Andry në këtë fjalë. Ne kemi ditur diçka edhe sot na përplasë në fytyrë një fakt: këta nuk janë marrë fare me këtë vendim që gjashtë vjet. Këta janë shtirë, thuajse po punojnë që gjashtë vite. Sot kanë dalë me një shpjegim, në të cilën thonë që ditaret i kemi marrë ma lirë tash, e librezat i ke marrë ma lirë një javë ma vone, ende libra s’ka qysh duhet. E kanë pasur krejt verën në përgatitje, i njëjti ministër e në detyrë, i njëjti janë prej marsit, prillit, kur gjë s’kanë bërë”, shtoi ai.

Të ngjashme