Në Galerinë e Arteve të Prishtinës është hapur sonte ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës”, e fotografit Visar Kryeziu, me kuratore Eliza Hoxhën. Ekspozita është organizuar në kuadër të aktiviteteve të platformës qytetare “Liria Ka Emër” dhe në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Realizimi i ekspozitës është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, e cila i është bashkuar kësaj nisme që synon ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.
Ekspozita sjell një përzgjedhje nga arkivi fotografik i Visar Kryeziut, me fotografi të realizuara gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, si dhe në periudhën menjëherë pas përfundimit të saj.
Përmes fotografive, Kryeziu rikthen pamje dhe dëshmi nga një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Punimet dokumentojnë luftën, vuajtjet e popullatës civile, rezistencën, çlirimin dhe pasojat e luftës, duke krijuar një dëshmi vizuale të kujtesës kolektive.
Nën kurimin e Eliza Hoxhës, ekspozita vjen edhe si një thirrje për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për të mos harruar ngjarjet e së kaluarës, përmes dëshmive autentike të krijuara në kohën kur ato kanë ndodhur.
Hapja e ekspozitës është bërë vetëm pak ditë para Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Marshi organizohet në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.