Bugaqku: Seanca e sotme e Kuvendit, rast i paprecedent në historinë politike të Kosovës

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se seanca konstituive e Kuvendit, do të përbënte një rast të paprecedent në historinë politike të Kosovës.

Bugaqku ka thënë se seanca do të zhvillohej nën hijen e shkeljes së një afati kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar.

“Seanca e sotme, nëse eventualisht do të mbahet, paraqet një rast të paprecedent në historinë politike të Kosovës, e cila do të mbahet me njëfarë njolle të asaj që është shkelur një afat kushtetues i përcaktuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar”, ka deklaruar ai.

Sipas Bugaqkut, pavarësisht nëse Kuvendi arrin të konstituohet apo jo, zhvillimet do të krijojnë nevojën për një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese.

“Unë mendoj që çfarëdo qoftë që ndodh nesër, qoftë nëse do të ketë konstituim, qoftë jo, krijon nevojën e domosdoshme që të kemi një interpretim të ri nga ana e Gjykatës Kushtetuese mbi atë se a është apo jo legjitim ky Kuvend i konstituuar në këtë formë dhe në këtë bazë, nëse eventualisht konstituohet”, ka vlerësuar Bugaqku.

Ai ka rikujtuar se KDI-ja ka bërë thirrje që deputetët të shfrytëzojnë mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar qartësi lidhur me pasojat e mundshme të shkeljes së afatit kushtetues.

“Si organizatë, ne sot kemi lëshuar një komunikatë ku kemi vlerësuar se Kuvendi mund të konstituohet nesër, por megjithatë rruga e mëtutjeshme kërkon një qartësi juridike dhe kushtetuese. Ne kemi ftuar deputetët e Kuvendit, së paku 10 prej tyre, që kanë mundësinë që brenda një afati prej 8 ditësh të dërgojnë një lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar qartësi mbi pasojën e shkeljes së këtij afati kushtetues, mbi legjitimitetin e mandateve që kanë këta deputetë dhe, rrjedhimisht, efektin zinxhiror që mund ta ketë në rast se Gjykata, hipotetikisht, e konstaton që ky lloj vendimi i nesërm është në kundërshtim me Kushtetutën”, ka përfunduar Bugaqku, raporton teve1.

Ndryshe, ka kaluar një muaj që kur seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre më 8 gusht, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.

Të ngjashme