Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se është pritur zvarritja nga Lëvizja Vetëvendosje e konstituimit të Kuvendit të Kosovës pasi as vazhdimi i sotëm i seancës nuk solli konstituim të Kuvendit.
“Qysh, pritët që përnime sot të konstituohet suksesshëm Kuvendi – si pa kurrgjë – pas shkeljes së qëllimshme të afateve kushtetuese edhe krejt zvarritjes së qëllimshme mbi një muaj, a?”.
Cakolli tha se synimi prej fillimit ka qenë qartazi moskonstituimi i Kuvendit, të paktën, thotë ai, jo pa u siguruar që, në rast të shkuarjes në zgjedhje, ato të mbahen më 27 dhjetor ose 3 janar.
Ai thotë se është dashur që moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues, i cili skadoi më 7 gusht, të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese.
“Krejt zhvillimet tjera, përfshirë edhe ato të sotmet, janë taktizime politike që i kontribuojnë vetëm atij qëllimi. Prandaj edhe ka qenë e domosdoshme që rasti të dërgohet në Kushtetuese, sepse veç një pasojë e qartë juridike do ta kishte parandaluar këtë zhvlerësim të institucionit kryesor në vend”.
Konstituimi i Kuvendit sot nuk përfundoi meqë nuk u zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit.