Bota e artit grek dhe më gjerë është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur Giorgos Mazonakis.
Ai ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare, pasi u dërgua me urgjencë në spitalin “Elpis” në Athinë, ku mjekët nuk arritën ta rikthenin në jetë, pavarësisht përpjekjeve të tyre.
Sipas informacioneve fillestare, vdekja e Giorgos Mazonakis i atribuohet arrestit kardiak, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar lajmin e hidhur.
Giorgos Mazonakis lindi më 4 mars 1972 në Nikea, Pire, me origjinë nga Sitia, Kretë. Ai u rrit duke dëgjuar këngë klasike popullore nga emra të mëdhenj si Stratos Dionysiou, Yiannis Parios, Marinella dhe Haris Alexiou, ndërsa ndikimet e tij përfshinin edhe muzikën rock ndërkombëtare.
Në moshën 15-vjeçare vendosi të ndiqte rrugën e muzikës si profesionist. Debutimin e tij e bëri në një klub nate në Patra, ku në verën e vitit 1992 u zbulua nga kompania diskografike Polygram (sot Universal Music).
Albumi i parë i Mazonakis, “Mesnatë dhe diçka”, u publikua në vitin 1993. Vetëm një vit më pas, albumi “Me ta matia na to les” e çoi atë në krye të top-listave me hite të njohura si “3 to proy”, “Anikho se m?na” dhe “Mi mou tserais”.
Në vitin 1996, kënga “I Miss You” u bë ari, ndërsa albumi “Child of the Night” në vitin 1997 arriti sukses të madh duke u shpall platin.
Ai vijoi të publikonte albume dhe këngë të suksesshme, duke bashkëpunuar me artistë të njohur të skenës greke.
Mazonakis u shqua për temperamentin e tij të veçantë, interpretimin unik dhe stilin pionier që ndryshoi mënyrën e jetës së natës në Athinë.
Paraqitjet e tij në klubet më të njohura të kryeqytetit grek u kthyen në ngjarje të veçanta për publikun.
Giorgos Mazonakis mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës popullore greke të dekadave të fundit.
Ai la pas një repertor të pasur me albume, këngë dhe bashkëpunime që do të kujtohen gjatë. Vdekja e tij shënon një humbje të madhe për muzikën dhe kulturën greke.
Giorgos Mazonakis ka qenë një këngëtar shumë i dashur edhe për publikun shqiptar, me disa prej këngëve të tij që kanë qenë të famshme edhe në vendin tonë.