Rama kërkon themelimin e “Pastrimit”: Një herë e mirë ta zgjidhim çështjen e mbeturinave në kryeqytet

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar themelimin e një kompanie të re komunale për pastrimin e qytetit, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet. Në një konferencë për media, Rama tha se çështja e mbeturinave është një prej problemeve më serioze me të cilat përballet Prishtina dhe theksoi se, sipas tij, kjo çështje nuk duhet të trajtohet si problem politik.

“Sot prapë jemi këtu për një prej problemeve më serioze për kryeqytetin, që është çështja e mbeturinave. Kjo nuk është çështje politike, edhe pse për fat të keq është përdorur nga oponentët politikë vazhdimisht. Deklaratat publike të eksponentëve të partive i kemi parë të gjithë. Por ne jemi të vendosur që qytetarët të mos mbesin peng. Prandaj jemi angazhuar, jemi takuar me menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’, jemi takuar me kryetarët e komunave të tjera, kemi diskutuar mundësitë, i kemi diskutuar edhe zgjidhjet”, tha Rama.

Sipas Ramës, Prishtina aktualisht bart barrën kryesore në një ndërmarrje rajonale ku bëjnë pjesë gjashtë komuna, ndërsa rritja e kryeqytetit ka bërë që nevojat për shërbime të pastrimit të jenë shumë më të mëdha.

“Prishtina momentalisht bart barrën kryesore në një ndërmarrje rajonale ku janë gjashtë komuna. Ndërkohë kryeqyteti është rritur, nevojat janë shumëfishuar dhe sistemi aktual nuk po arrin t’u përgjigjet këtyre nevojave”, theksoi ai.

Rama tha se një mundësi për zgjidhjen e problemit ka qenë projekti i financuar nga qeveria gjermane, në vlerë prej 74.1 milionë eurosh. Ai e lidhi dështimin e këtij projekti me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Prishtina, siç e keni parë, ka humbur 74.1 milionë euro financim nga qeveria gjermane vetëm për një nënshkrim të Hekuran Muratit. Domethënë, ndërmarrja ‘Pastrimi’ i ka humbur 74.1 milionë euro sepse Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Ai tha se përballë situatës së krijuar, Komuna e Prishtinës ka vendosur të procedojë me themelimin e një kompanie të re komunale për pastrimin e qytetit.

“Të ndodhur përballë këtij absurditeti dhe gjendjes alarmante me mbeturina, ne kemi vendosur që ta krijojmë ndërmarrjen e re komunale të pastrimit, njëjtë si komunat e tjera, ajo e Fushë Kosovës dhe e Obiliqit”, tha Rama.

Rama u bëri thirrje asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës që ta votojnë propozimin për themelimin e kompanisë së re, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Prandaj nesër, në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë së Kryeqytetit, e kemi mundësinë jetike që një herë e përgjithmonë ta zgjidhim çështjen e mbeturinave në kryeqytet. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë asamblistëve, e posaçërisht asamblistëve të Vetëvendosjes, që ta votojnë.

Votojeni nesër themelimin e kompanisë së pastrimit, e cila do të jetë në menaxhim të kryeqytetit 100%. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetit dhe ndaj qytetarëve që ju kanë votuar, që ju të merrni vendime në interes të tyre”, u shpreh Rama.

Ai tha se problemi me mbeturinat është i pranishëm edhe në lagjet ku jetojnë vetë asamblistët dhe familjet e tyre, duke argumentuar se vota kundër themelimit të kompanisë së re do të ishte, sipas tij, votë kundër zgjidhjes së një problemi që prek të gjithë qytetarët.

“Ky bërllog, këto mbeturina janë në lagjet ku ju jetoni, në rrugët ku kalojnë fëmijët tuaj. Dhe nëse ju votoni kundër, i bie që votoni kundër vetvetes. I bie që votoni kundër familjeve tuaja. Nëse vendosni me penalizu vetveten për politikë, atëherë kjo vetëm se i tejkalon të gjitha logjikat”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës tha se propozimi për themelimin e kompanisë së re tashmë është gati dhe se pret që Kuvendi i Kryeqytetit ta miratojë.

“Propozimi është gati, zgjidhja është gati, veç duhet nesër secili asamblist i votuar nga qytetarët e kryeqytetit për kryeqytetin të votojë pro — pro zgjidhjes, dhe një herë e mirë ta zgjidhim çështjen e bërdllogut në kryeqytet”, tha Rama.

Rama tha se problemet me ndërmarrjen “Pastrimi” nuk kanë filluar gjatë mandatit të tij, por sipas tij janë të pranishme prej vitesh.

“Unë po ju thëm që ndërmarrja ‘Pastrimi’ qysh më herët ka pasur probleme. Ka pasur probleme faktikisht me vite të tëra, qysh edhe para qeverisjes tonë. Qytetarët e këtij qyteti nuk e kanë pasur çështjen e pastrimit të zgjidhur asnjëherë. Gjithmonë ka qenë problematike.

Edhe kemi shkuar nëpër procese të ndryshme për me e zgjidhur këtë çështje. Pra kemi pasur kohë ku edhe kemi ndërruar qeverisjen për shkak të problemeve që kemi pasur, se kemi tash të renë, tjetrën që ka ardhur, prapë po thëm kemi vazhduar me probleme, por kemi pasur zgjidhjen”, deklaroi Rama.

Ai u ndal edhe te projekti me bankën gjermane KfW dhe qeverinë gjermane, të cilin e cilësoi si një projekt madhor që, sipas tij, do të mundësonte një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave.

“Domethënë e kemi pasur një propozim së bashku me KfW-në, me shtetin gjerman, një projekt 74.1 milionë, i cili ka me menduar ose ka strukturuar zgjidhjen e problemit një herë e për gjithmonë. Jo vetëm për me i hequr problemet e mbeturinave, por edhe çështjen e riciklimit, çështjen ambientale, pra një projekt fenomenal për Kryeqytetin”, tha kryetari i Prishtinës.

Rama e kritikoi sërish ministrin Murati, duke thënë se nuk e kupton arsyen e bllokimit të një projekti që, sipas tij, do të ishte në interes të qytetarëve të Prishtinës.

“I cili për fat të keq, për çështje politike se nuk e kuptoj çfarë logjike tjetër ka një ministër i një partie me e blloku një projekt madhor për të mirën e Kryeqytetit. Normale, ai nuk është i Prishtinës, ndoshta për këtë edhe nuk i dhimbset Prishtina. Mirëpo ne nuk mund të rrimë peng për këto ego apo çfarë po di unë të partive të tjera, të ministrave që nuk mendojnë për qytetin, nuk mendojnë për qytetarët e këtij kryeqytetit, por mendojnë për poena politikë. Po mendoj që kjo do t’ju kthehet me bumerang, sepse këto bllokada, këto sabotazha të kësaj qeverie tashmë qytetarët po i shohin, po i dinë, po i vërejnë”, deklaroi Rama.

Të ngjashme