NATO do të përkujtojë të premten 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni që do të mbahet pranë Memorialit të 11 Shtatorit dhe Nenit 5, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në ceremoni do të marrë pjesë zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Scott Oudkirk, dhe Përfaqësuesin Ushtarak të SHBA-së në Komitetin Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant William D. “Hank” Taylor.
Në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Aleancës, si dhe pjesëtarë të komunitetit diplomatik, ushtarak dhe ndërkombëtar të NATO-s.
Ceremonia do të shënohet me një minutë heshtje në orën 14:46, pikërisht në minutën kur, 25 vjet më parë, ndodhi sulmi i parë ndaj Kullës së Veriut të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, thuhet në njoftimin e Aleancës Veriatlantike.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, i Ngarkuari me Punë i Misionit të SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, dhe Përfaqësuesi Ushtarak i SHBA-së në Komitetin Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant William D. “Hank” Taylor, do të mbajnë fjalime të shkurtra përkujtimore.
Në nderim të viktimave të sulmeve terroriste dhe sakrificës së pjesëtarëve të forcave të armatosura që kanë shërbyer dhe kanë humbur jetën që prej asaj kohe, flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në selinë e NATO-s.
Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë edhe në Komandën Supreme të Forcave Aleate në Evropë (ACO) në Mons të Belgjikës dhe në Komandën Aleate për Transformim (ACT) në Norfolk të Virxhinias.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA shënuan herën e parë në historinë e NATO-s që u aktivizua Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm i armatosur ndaj njërit.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, i Ngarkuari me Punë i SHBA-së dhe Përfaqësuesi Ushtarak i SHBA-së në NATO do të ecin drejt Memorialit të 11 Shtatorit dhe do të marrin pjesë në vendosjen e kurorës me lule nga dy ushtarë amerikanë me uniformë, përpara memorialit.