Rama akuzon VV-në për bllokimin e “Ishullit Urban”: Marre, qeveri e “vades së Lupçit”

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë për ndaljen e punimeve në projektin “Ishulli Urban”, i cili, sipas tij, synon të lidhë lagjen Arbëria me qendrën e Prishtinës.

Rama ka pretenduar se rreth 30 mijë banorë të kësaj zone detyrohen aktualisht të kalojnë përmes shinave të trenit për të arritur në qendër të kryeqytetit, ndërsa ka akuzuar Qeverinë se ka bllokuar projektin pavarësisht se procedurat, sipas tij, kanë përfunduar dhe punimet kanë nisur.

“Sot, rreth 30 mijë banorë detyrohen me kalu përmes shinave të trenit për me dalë në qendër. Jo pse nuk ka projekt. Jo pse nuk kanë nisë punimet. Por sepse Qeveria ka vendosë me i blloku!”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se punimet kanë nisur, por më pas janë ndërprerë, ndërsa autoritetet kanë përdorur si arsyetim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Procedurat i kemi kry. Punimet kanë fillu. Erdhën edhe i qitën shiritat. Arsyetimi? ‘Po e mbrojmë trashëgiminë kulturore.’ Cilën trashëgimi kulturore?!”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, ndalja e punimeve është bërë në maj, ndërsa akti ligjor për këtë çështje është nxjerrë në qershor. Rama e ka cilësuar këtë si ndalim të jashtëligjshëm.

“Aq më tepër i kanë ndal punimet jashtëligjshëm! Punimet i ndalën në MAJ. Aktin ligjor e nxorën në QERSHOR. Pra, fillimisht e ndalën projektin, pastaj e krijuan arsyetimin për ndaljen e tij”, ka shkruar ai.

Rama ka kërkuar që një përfaqësues i Qeverisë të dalë para banorëve të Arbërisë dhe të japë, siç është shprehur ai, një arsye që e justifikon bllokimin e projektit.

“Le të dalë veç NJËRI prej tyre para 30 mijë banorëve të Arbërisë dhe le ta thotë një arsye të vetme që e justifikon këtë bllokadë! Një të vetme”, ka thënë Rama.

Ai ka kritikuar ashpër Qeverinë, duke e mbyllur reagimin me shprehjen: “Qeveri e ‘vades të Lupçit’. Marre!”

Të ngjashme