KDI hap garën “Fotografo Korrupsionin 2026”, Cakolli: Fotografoni atë që shihni përreth

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka hapur edhe këtë vit garën tradicionale “Fotografo Korrupsionin 2026”, përmes së cilës qytetarët ftohen që përmes fotografisë të paraqesin mënyrën se si e shohin korrupsionin dhe pasojat e tij në shoqëri.

Njoftimin për këtë garë e ka bërë Eugen Cakolli nga KDI, i cili ka ftuar qytetarët që të dokumentojnë përmes fotografive dukuritë që, sipas tyre, lidhen me korrupsionin.

“A e sheh korrupsionin rreth teje? Fotografoje. Korrupsioni, edhe pse ndonjëherë i padukshëm, lë gjurmë dhe pasojat e tij i shohim çdo ditë përreth nesh. Shumë prej tyre mund të kapen edhe në një fotografi”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka bërë të ditur se pjesëmarrësit mund të dërgojnë deri në tri fotografi për të marrë pjesë në garë.

“KDI po e hap edhe këtë vit garën tradicionale ‘Fotografo Korrupsionin 2026’ dhe ju fton që përmes fotografisë të tregoni se si e shihni ju korrupsionin dhe pasojat e tij”, thuhet në njoftim.

Fotografitë mund të dërgohen në adresën elektronike [email protected], ndërsa punimet më të mira do të shpërblehen me çmime në vlerë prej 200, 150 dhe 100 euro.

Fituesit e garës do të shpallen më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Cakolli ka bërë apel për qytetarët që të jenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh në rrethin e tyre dhe ta dokumentojnë përmes fotografisë.

“Shikoni përreth. Kapeni me fotografi atë që për ju është”, thuhet në thirrjen e KDI-së.

Të ngjashme