Haxhiu: Kosova nuk e harron mbështetjen e Zvicrës në vitet më të vështira

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, me ç’rast ka vlerësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar lidhjet e veçanta që dy vendet kanë ndërtuar ndër vite.

Haxhiu ka thënë se raportet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të bazuara në miqësi, bashkëpunim dhe veçanërisht në lidhjet e forta mes njerëzve të të dyja vendeve.

“Sonte mora pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, vendi me të cilin Kosova ka ndërtuar ndër vite lidhje të veçantë, të mbështetur në miqësi, bashkëpunim dhe, mbi të gjitha, në lidhjet mes njerëzve tanë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se për shumë familje në Kosovë, Zvicra është prej vitesh pjesë e jetës së tyre të përditshme, duke përmendur numrin e madh të familjarëve dhe miqve që jetojnë në këtë shtet.

“Në fjalën time theksova se, për shumë familje në Kosovë, Zvicra është prej kohësh pjesë e jetës së përditshme. Në Zvicër jetojnë prej vitesh shumë familjarë e miq tanë, ndërsa atje janë rritur edhe breza të tërë që vazhdojnë ta mbajnë të fortë lidhjen me Kosovën. Kjo afërsi mes njerëzve ka bërë që Zvicra të mos na jetë dukur kurrë larg”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, Kosova nuk e harron mbështetjen që Zvicra i ka dhënë vendit gjatë periudhave më të vështira të historisë, si dhe kontributin e saj në zhvillimin e institucioneve dhe të vendit.

“Kosova nuk e harron mbështetjen e Zvicrës në vitet më të vështira të historisë sonë dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e qytetarëve tanë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi mes dy shteteve sot shtrihet në disa fusha, përfshirë politikën, sigurinë, arsimin, ekonominë dhe kulturën.

“Sot, marrëdhënia jonë zhvillohet përmes bashkëpunimit politik, sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe kulturës, por mbi të gjitha përmes njerëzve që i lidhin të dyja vendet”, ka thënë Haxhiu.

U.D. e presidentes ka veçuar edhe kontributin e shqiptarëve nga Kosova në shoqërinë zvicerane, duke thënë se ai tashmë është i pranishëm në shumë fusha.

“Vura në pah se kontributi i shqiptarëve nga Kosova në Zvicër shihet tashmë në shumë fusha. Futbolli është ndoshta shembulli më i dukshëm, por për fat të mirë jo i vetmi. Nga politika te shkenca, njerëz si Ylfete Fanaj dhe Ardian Jusufi tregojnë se ata që dikur gjetën strehë dhe mundësi në Zvicër, sot janë pjesë aktive e zhvillimit dhe e suksesit të saj”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka shprehur krenari për historitë e shqiptarëve që kanë ndërtuar jetën e tyre në Zvicër dhe mirënjohje ndaj këtij shteti për mundësitë dhe sigurinë që u ka ofruar qytetarëve të Kosovës.

“Shpreha krenarinë për këto histori dhe mirënjohjen ndaj Zvicrës, ku shumë nga njerëzit tanë gjetën siguri, ndërtuan jetën e tyre dhe u bënë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka përcjellë urime për popullin zviceran, ndërsa ka falënderuar miqtë zviceranë për kontributin dhe mbështetjen e tyre ndaj Kosovës.

“Popullit zviceran i urova paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa miqtë tanë zviceranë në Kosovë i falënderova për miqësinë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit tonë”, ka shtuar Haxhiu.

Të ngjashme