Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë në prag të zhvillimeve të parapara për 16 shtator, ditë kur pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, masat kanë për qëllim garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që mund të zhvillohen gjatë kësaj date.
Në kuadër të përgatitjeve, menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka zhvilluar takim informues dhe koordinues me drejtues të departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale të PK-së, si dhe me partnerë ndërkombëtarë.
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, ndërsa është prezantuar plani dhe angazhimet policore për zhvillimet e pritshme më 16 shtator.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
PK-ja ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi të ndryshme policore me qëllim që aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme të kalojnë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Varësisht nga numri dhe lokacioni i aktiviteteve, policia paralajmëron se mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku mund të zhvillohen tubime apo aktivitete. Për këtë arsye, janë paraparë edhe angazhime të njësive patrulluese të trafikut për riorientimin e qarkullimit, në rast se paraqitet nevoja.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë.
“Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.
Sipas PK-së, hartimi dhe zbatimi i planeve policore në raste kur priten zhvillime, aktivitete apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta të policisë dhe synojnë garantimin e sigurisë së përgjithshme.
Në përfundim, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se “siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës”.
Zyrtarët policorë, sipas PK-së, do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në vend.