UEFA cakton stadiumet e finaleve të Ligës së Kampionëve për vitin 2028 dhe 2029

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

UEFA ka konfirmuar zyrtarisht stadiumet që do të presin finalet e Ligës së Kampionëve në vitet 2028 dhe 2029, me Munichun dhe Barcelonën që do të jenë nikoqire të ndeshjes më të madhe të futbollit evropian në dy vite radhazi.

“Munich Football Arena”, e njohur më së shumti si “Allianz Arena”, do të presë finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2028.

Kandidatura e Munichut nuk pati konkurrencë tjetër në procesin e përzgjedhjes, duke i siguruar qytetit gjerman organizimin e finales së kompeticionit më prestigjioz për klube në Evropë.

Një vit më vonë, radha do t’i takojë Barcelonës. “Spotify Camp Nou” i rinovuar është përzgjedhur si stadiumi pritës i finales së vitit 2029, pasi mposhti në garën për organizim stadiumin londinez “Wembley”.

Stadiumi legjendar i Barcelonës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruktimi të plotë, pritet të ketë një kapacitet prej më shumë se 104 mijë spektatorësh, duke e bërë atë stadiumin me kapacitetin më të madh në Evropë.

Vendimet përfundimtare u morën nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen e zhvilluar më 15 shtator 2026.

Kështu, “Allianz Arena” do të jetë skena e finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2028, ndërsa një vit më pas trofeu më i rëndësishëm evropian për klube do të synohet në “Camp Nou”-n e rinovuar. /Telegrafi/

Të ngjashme