Bashkimi Demokratik për Integrim sërish ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas BDI-së, Shasivari ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës shqiptare, pasi, siç thotë ky subjekt politik, ai ka barazuar viktimat e regjimit të Millosheviqit me agresorët.
“Deklarata skandaloze e ministrit të Drejtësisë ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës së shqiptarëve. Barazimi i viktimave të regjimit të Millosheviqit me agresorët prek drejtpërdrejt sakrificën e një populli të tërë dhe përpjekjen e tij për liri.”, thuhet në një reagim të BDI-së.
Partia që udhëhiqet nga Ali Ahmeti ka shtuar se komunikatat e VLEN-it nuk mund ta mbulojnë këtë qëndrim.
“Kur një mendësi politike shfaqet kaq qartë përmes deklaratave të përfaqësuesve të vet, formulimet e mëvonshme nuk e zhbëjnë atë. Kjo është ideologjia e VLEN-it. Sot ajo u shpreh publikisht nga ministri i tyre i Drejtësisë. Dëmi ndaj kauzës shqiptare është i paprecedentë dhe kërkon përgjegjësi të qartë politike”, thonë nga BDI.