Jashari kërkon anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5

Prishtinë | 19 Sht 2026 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut A5, e cila këtë vit u mbajt në Zadar të Kroacisë.

Sipas njoftimit të FSK-së, konferenca u drejtua nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe shefat e mbrojtjes nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fokus të diskutimeve ishin sfidat aktuale gjeopolitike dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme.

Gjatë konferencës, Jashari zhvilloi takime dypalëshe me drejtues të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, përfshirë komandantin e EUCOM-it, gjeneralin Alexus G. Grynkewich, si dhe zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, gjeneralin Peter K. Scot.

Në këto takime u diskutua për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave, koordinimin operacional dhe mbështetjen strategjike të aleatëve euroatlantikë për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tij në konferencë, Jashari ka kërkuar zyrtarisht që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut.

“Ai ritheksoi se tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në misione ndërkombëtare e bëjnë vendin një partner të besueshëm dhe të natyrshëm, i cili meriton të jetë pjesë e plotë e të gjitha strukturave dhe iniciativave të sigurisë euroatlantike”, thuhet në njoftimin nga FSK.

Të ngjashme