Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar humbjen e rëndë të partisë së tij, CDU, në zgjedhjet rajonale në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, duke e cilësuar rezultatin si “një katastrofë”. Ai tha se përgjegjësia e tij është të çojë përpara reformat në Gjermani.
“Rezultati në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore nuk mund të zbukurohet. Është një katastrofë”, deklaroi Merz në Berlin, pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve.
CDU-ja e Merz mori rreth 5.5% të votave në landin gjerman, një rezultat historikisht i dobët për partinë. Sipas projeksioneve të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit, CDU-ja rrezikoi edhe të mbetej jashtë parlamentit rajonal, pasi pragu për përfaqësim është 5%.
Duke komentuar rezultatin, Merz e lidhi situatën me vështirësitë ekonomike dhe ndarjet politike e shoqërore në vend. Sipas tij, përgjigjja ndaj këtyre problemeve nuk duhet të jetë rikthimi te politikat e së kaluarës.
“Përgjigjja duhet të jetë përgatitja e vendit tonë për të ardhmen”, tha kancelari, duke theksuar se reformat duhet të vazhdojnë.
Merz argumentoi se qeveria duhet të përqendrohet te ndryshimet që, sipas tij, i nevojiten Gjermanisë për të përballuar problemet ekonomike dhe sociale. Ai tha gjithashtu se vendi ka aftësi për të ndërmarrë reforma.
“Ne e marrim përsipër këtë përgjegjësi. Unë e marr përsipër këtë përgjegjësi sepse dua ta çoj vendin tonë përpara”, deklaroi ai.
Rezultati në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore vjen pas një tjetër humbjeje të CDU-së në zgjedhjet e 6 shtatorit në Saksoni-Anhalt dhe shton presionin politik mbi Merz. Në zgjedhjet e sotme në dy lande, Mecklenburg-Pomerania Perëndimore dhe Berlin, CDU-ja pësoi humbje të konsiderueshme, ndërsa AfD-ja shënoi rritje të fortë në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore.
Pas rezultateve, Merz ka thirrur drejtuesit e CDU-së në Berlin për një takim ku pritet të diskutohet rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e mëtejshëm të partisë.