MINTI intensifikon kontrollet kundër piraterisë në Prishtinë dhe Gjilan

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka intensifikuar kontrollet për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

Ekipet inspektuese të IQMT-së gjatë ditës së sotme kanë realizuar inspektime në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit, me fokus të veçantë te bizneset që merren me fotokopjim, riprodhim dhe shpërndarje të materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit.

Sipas njftimit të MINTI-t, qëllimi i këtyre inspektimeve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore gjatë riprodhimit dhe përdorimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimi i përdorimit, riprodhimit apo shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit.

Aktivitetet inspektuese, sipas njoftimit, po realizohen në bazë të Ligjit Nr. 08/L-205 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, si dhe në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

MINTI dhe IQMT kanë thënë se përmes këtyre aksioneve synojnë të kontribuojnë në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe titullarëve të të drejtave, në rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë dhe në krijimin e një tregu ku veprimtaria ekonomike zhvillohet në mënyrë të ligjshme.

Inspektorati ka bërë të ditur se mbikëqyrja në këtë fushë do të vazhdojë edhe në rajone të tjera të Kosovës.

Sipas njoftimit, kontrollet do të bazohen edhe në ankesat dhe informacionet e pranuara nga konsumatorët lidhur me rastet e dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë.

Të ngjashme