Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së heroit dhe heroinës së kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës.
Përmes një postimi, Lladrovci ka shkruar se në kohën kur lufta çlirimtare kishte marrë përmasa të mëdha dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej përcaktuese e çlirimit, Gllanasella u bë vendi ku Fehmi dhe Xhevë Lladrovci u përjetësuan.
“Para 28 vitesh, kur fronti për çlirim kishte marrë përmasa të papara deri atëherë kundër okupatorit serb në Kosovë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej përcaktuese e çlirimit, Gllanasella u bë vendi ku u përjetësuan heroi dhe heroina e kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, të cilët sipas tij jetuan dhe vepruan së bashku, edhe rënien e tyre e përjetësuan bashkë, duke u shndërruar në simbol për brezat.
“Ashtu siç jetuan e vepruan të pandarë, Feha e Xheva ishin të pandarë në vendin dhe kohën e kalimit në lavdinë e përjetshme, u bënë shembull i jashtëzakonshëm dhe trashëgimi heroike për brezat”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka vlerësuar se jeta dhe vepra e tyre, së bashku me atë të bashkëluftëtarëve, përfaqësojnë një pjesë të luftës për lirinë e Kosovës.
“Heroi dhe heroina, Feha e Xheva, me jetën dhe veprën e tyre e shkruan dhe përshkruan të drejtën tonë për liri, lavdinë e luftës sonë, me bashkëluftëtarët që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.
Në këtë përvjetor, ai ka përkujtuar edhe bashkëluftëtarët e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet Karaxhën, Milazim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin.
“Liria jonë ka rrënjët në veprimtarinë atdhetare të gjeneratave të tëra, fati e deshti që gjenerata jonë të marrë hapin historik, hapin e çlirimit nga okupatori, duke qenë të bindur se më e çmuar është liria se jeta”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka shprehur mirënjohje për familjarët, bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët dhe qytetarët që morën pjesë në ceremoninë përkujtimore.
“Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatimes, Shefqetit, Behxhetit, Milazimit dhe Hamitit! […] Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shtuar Lladrovci.