Muhaxheri: Nafta afër 2 eurove mund ta shtyjë më tej inflacionin

Prishtinë | 27 Sht 2026 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, në një prononcim për FrontOnline  ka paralajmëruar se çmimi i naftës prej rreth 1.94 euro për litër paraqet faktor serioz që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të inflacionit në Kosovë.

Sipas tij, shtrenjtimi i naftës nuk prek vetëm konsumatorët që furnizojnë automjetet, por ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në transport, prodhim dhe shpërndarje, duke krijuar presion të ri mbi çmimet e pothuajse të gjitha produkteve.

‘’Çmimi i naftës prej rreth 1.94 euro për litër është një faktor serioz që mund ta shtyjë edhe më tej inflacionin. Nafta nuk ndikon vetëm te konsumatori që furnizon veturën, por te transporti, prodhimi dhe shpërndarja e pothuajse çdo produkti. Në një ekonomi ku çmimet tashmë janë të larta, çdo rritje e naftës krijon presion të ri mbi çmimet’’, tha Muhaxheri për FrontOnline.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të reagojë dhe të përdorë instrumentet që ka në dispozicion për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe për të parandaluar abuzimet me çmimet. Sipas Muhaxherit, nëse çmimi i naftës afrohet ose kalon 2 euro për litër dhe qëndron në këto nivele për një periudhë më të gjatë, rritet rreziku për një valë të re shtrenjtimi.

‘’ Në këtë situatë, Qeveria ka përgjegjësi të reagojë dhe të përdorë instrumentet që ka në dispozicion për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe për të parandaluar abuzimet me çmimet. Nëse nafta afrohet ose kalon 2 euro për një periudhë më të gjatë, rreziku për një valë të re shtrenjtimi rritet’’, tha Muhaxheri.

Ai ka thënë  se barra e kësaj situate nuk mund t’u lihet vetëm qytetarëve dhe bizneseve, duke kërkuar masa konkrete institucionale për zbutjen e goditjes nga rritja e çmimeve të derivateve.

‘’ Barra nuk mund t’i lihet vetëm qytetarit dhe biznesit; Qeveria duhet të ketë masa konkrete për ta zbutur këtë goditje’’,përfundon Muhaxheri.

Të ngjashme