Hendeku gjinor në tregun e punës, Riinvest: Kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit mbetet barrierë

Prishtinë | 29 Sht 2026 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Instituti Riinvest organizoi një diskutim në tryezën e rrumbullakët me temën “Mbyllja e Hendekut Gjinor në Shërbimet e Kujdesit: Më Shumë Zgjedhje për Gratë”, ku u diskutua për sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë, veçanërisht për shkak të barrës së kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, raporton Ekonomia Online.

Në fokus të diskutimit ishte nevoja për zgjerimin e shërbimeve të kujdesit dhe përfshirjen e tyre në politikat e punësimit, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Saxhide Mustafa, Koordinatore në Forumin Ekonomik të Grave, theksoi se mungesa e shërbimeve të kujdesit vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për përfshirjen e grave në tregun e punës.

“Kur shërbimet e kujdesit mungojnë ose janë të kufizuara, gratë mbeten të ngarkuara me përgjegjësi të papaguara, kështu duke u privuar nga mundësia për të hyrë, qëndruar apo për t’u avancuar në tregun e punës. Kështu mbetet jashtë potenciali apo gjysma e potencialit të ekonomisë sonë. Mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijët dhe për të moshuarit bie në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Për këtë arsye, një sistem i qëndrueshëm i kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit është hap thelbësor për largimin e pengesave strukturore ndaj punësimit dhe aktivizimit të grave.

Në dekadën e fundit nuk e shohim ndonjë progres të theksuar. Pavarësisht intervenimeve në politikat publike dhe masave të ndërmarra nga qeveritë në dekadën e fundit, rritja e punësimit mbetet ende më e ulëta në Evropë. Për shembull, në vitin 2015 pjesëmarrja aktive e grave në tregun e punës ishte 18.1%, ndërsa në vitin 2024 aktivizimi i grave në tregun e punës ishte 25.9%. Pra, joaktiviteti mbetet ende shumë i lartë, në vitin 2015 e kemi 81.9%, ndërsa në vitin 2024, 74.1%. Lëvizjet pra kanë qenë shumë të vogla”, tha ajo.

“Megjithatë, barriera kryesore për një dekadë e më shumë mbetet kujdesi ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Praktikat nga vendet e ndryshme për të mbyllur hendekun gjinor dhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës tregojnë se qeveritë dhe sektori privat kanë ndërmarrë politika të qarta duke i bërë çështjet e kujdesit për fëmijët pjesë të politikave të punësimit.

Këto praktika dëshmojnë se kur shteti dhe sektori privat bashkëpunojnë, rezultatet janë më të qëndrueshme dhe më të drejtpërdrejta dhe më të efektshme. Investimet e qendrave të kujdesit të hershëm për fëmijët në Parqet e Biznesit dhe zonat ku industria është e koncentruar mund të jenë një opsion për të lehtësuar këtë barrierë dhe duke i bërë kështu edhe baballarët pjesë aktive të kujdesit për fëmijët e tyre. Po ashtu, njëkohësisht do ta lehtësonte edhe barrën apo të shfrytëzimit të një transporti”, tha ajo.

Kurse, zv. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu foli për investimet e bëra në infrastrukturën për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe nevojën për bashkëpunim më të madh me komunat.

“Në këto 5 vitet e fundit, paralelisht kushtimisht thënë investimeve në infrastrukturën ligjore, sikurse është ligji për edukim për fëmijët e hershme, i cili është miratuar, janë bërë investime infrastrukturore, qoftë si ndërtime të reja, qoftë si përshtatje, në gjithsej 27 komuna në një vlerë të gjithëmbarshme prej rreth 44 milionë euro. Kjo është dëshmi së pari për vëmendjen financiare që ia ka dedikuar qeveria kësaj fushe, por të njëjtën kohë edhe për shtrirjen gjeografike të këtyre investimeve.

Me thënë këtë, ne jemi të vetëdijshëm që ekzistojnë hendeqe në këtë drejtim, sikurse edhe evidentohen në analizën, hulumtimin tuaj, i cili konsideroj që është shumë i vlefshëm, po megjithatë ky është një proces i cili është në proces e sipër.

Por për t’u siguruar që shtrirja është më e gjerë dhe për t’u siguruar gjithashtu që ky përparim në këtë fushë, ky progres në këtë fushë shoqërohet edhe me barazi për brenda tij, neve padyshim që na duhet një bashkëpunim i gjerë me gjithësejdarët, po veçanërisht në këtë rast me komunat. Bashkëpunimi është duke u zhvilluar, ashtu që të sinkronizohemi për nevojat e fëmijëve në të gjitha komunat dhe të trajtohet ky hendek aktual.

Synimi ynë përfundimtar, që është po ashtu vizioni ynë për strategjinë e re të arsimit, është që çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit, pavarësisht përkatësisë, pavarësisht rrethanave sociale e ekonomike, të ketë qasje në edukim në fëmijërinë e hershme në një distancë të përshtatshme, po të njëjtën kohë edhe me një kosto të përballueshme për prindërit, familjet në këtë rast”, tha ai.

Ndërsa, Mentor Morina, Drejtor i Departamentit të Skemave Sociale në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, tha se politikat sociale duhet të orientohen gjithnjë e më shumë drejt ofrimit të shërbimeve dhe aktivizimit të grave në tregun e punës.

“Nëse i kthehemi përfitimeve, kemi rreth 200,000 nëna të cilat përfitojnë shtesat e fëmijëve, po ashtu mbi bazë mujore kemi mbi 6,500 lehona të papuna e mbi 2,000 lehona të punësuara të cilat përfitojnë nga programet e shtesave të lehonave. Megjithatë, ajo çka është evidente në kuadër të politikave të ministrisë është që nga mbështetja financiare të kalojmë në masa të ofrimit të shërbimeve të cilat kanë një impakt në drejtim të përfshirjes së grave në tregun e punës.

Prandaj në objektivat tona si ministri, në pjesën e programit legjislativ, përveç programeve që u përmendën aktualisht, janë edhe ndërhyrjet në kornizën ligjore, më specifikisht në Ligjin e Punës për të krijuar fleksibilitet dhe mundësi që orari dhe mundësia e grave, sidomos punës së papaguar, të reflektohet në mundësitë për punësim.

Një komponent shumë e rëndësishme është edhe Ligji i Punësimit, i cili do të modifikojë dhe do të fusë masa të reja aktive të tregut të punës. Kemi një praktikë, një shembull të mirë të suksesit sa i përket Superpunës për vajzat. Tani, në kuadër të planifikimeve tona, është Superpuna për gratë, që do të ketë një impakt dhe nga praktikat e zbatuara deri më tani kemi parë që pjesëmarrja e vajzave ka qenë mjaft e lartë.

Në të njëjtën kohë është një program që realisht është premtuar dhe pritet të fillojë së zbatuari, nëse e quajmë ‘Gjenerata për gjeneratë’ ose kujdesi i të moshuarve ose i gjyshërve ndaj nipërve, që do të ketë impakt në aktivizimin sidomos të popullatës mbi moshën 55-vjeçare. Jo për të zëvendësuar kujdesin e fëmijëve, por për të krijuar një mundësi të kujdesit të papaguar të gjyshërve apo të mundësive që mund të kenë në aktivizim popullata mbi moshën 55-vjeçare, politika që po zbatohen edhe në nivel të vendeve evropiane”, tha ai.

Të ngjashme