Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me interpretimet publike të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Cakolli ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po interpretohet pjesa e aktgjykimit që lidhet me rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit dhe dënimet për katër pika të krimeve të luftës.
“Është shpeshtu argumenti se pjesa ‘e mirë’ e aktgjykimit është se u rrëzua pretendimi për një sulm të gjerë ose sistematik të UÇK-së ndaj popullsisë civile, ndërsa për dënimet po na thuhet se përgjegjësia është individuale dhe se UÇK-ja s’ka qenë në gjykim”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka vënë në pikëpyetje këtë mënyrë të leximit të aktgjykimit, duke argumentuar se përgjegjësia individuale nuk duhet të përdoret, sipas tij, për të ndarë në mënyrë të kundërt dënimet nga konstatimet që lidhen me UÇK-në.
“Por, qysh është e mundur që dënimi për 4 pika qenka individual, ndërsa lirimi nga të tjerat qenka konstatim kolektiv për UÇK-në?”, ka shkruar ai.
Cakolli ka theksuar se katër të akuzuarit janë dënuar për katër krime lufte, ndërsa janë liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, përgjegjësia penale e të akuzuarve është individuale dhe çështja gjyqësore nuk ka qenë proces kundër UÇK-së si organizatë.