Kurti nderon Ejup Statovcin në 29-vjetorin e protestës studentore të 1 Tetorit

Prishtinë | 01 Tet 2026 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statovci, në 29-vjetorin e protestës studentore të 1 Tetorit 1997.

Kurti ka vendosur lule të freskëta në nderim të Statovcit, duke kujtuar rolin e tij gjatë periudhës së represionit serb dhe kontributin në mbështetjen e studentëve dhe profesorëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës.

Në postimin e tij, Kurti ka rikujtuar protestën e 1 Tetorit 1997, kur mijëra studentë, profesorë dhe qytetarë u mblodhën në Prishtinë për të kërkuar kthimin e studentëve dhe profesorëve shqiptarë në objektet universitare.

Ai ka theksuar se protesta, e nisur nga studentët, u shndërrua në një demonstratë gjithëpopullore dhe u përball me dhunën e policisë serbe.

Kurti ka vlerësuar posaçërisht figurën e ish-rektorit Ejup Statovci, duke e përshkruar atë si një profesor të urtë, të mençur dhe të vendosur, i cili qëndroi pranë studentëve dhe mësimdhënësve në ditët e protestës.

“Mes kujtimesh për të gjithë ata që duke u rreshtuar pas profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor 1997, kontribuuan në përbashkimin e vullneteve qytetare drejt aktiviteteve paqësore dhe kryengritjes së armatosur për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në përvjetorin e 29-të, ai ka nderuar në veçanti jetën dhe veprën e Ejup Statovcit, rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme