Muaji rozë me aktivitete në Prishtinë, Gashi: Kujdesi shëndetësor duhet të jetë gjatë gjithë vitit

Prishtinë | 02 Tet 2026 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se institucionet shëndetësore kanë punuar ndër vite që muaji rozë, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, të vlerësohet nga qytetarët edhe gjatë muajve të tjerë.

Ai në Klan Kosova tha se kujdesi ndaj të gjithë qytetarëve dhe pacientëve duhet të jetë 365 ditë të vitit dhe jo vetëm i fokusuar në një ditë të shënuar ndërkombëtare.

Gashi tha se synimi është një angazhim dhe kujdes më i gjatë me aktivitete gjatë gjithë vitit, në mënyrë që qytetari ta ndiejë praninë e institucioneve shëndetësore edhe në muajt e tjerë.

Gashi tha se muaji rozë nis me fushatat e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit nga 1 tetori deri me 31 tetor.

“Kemi punuar ndër vite që muaji rozë të ndihet ose të vlerësohet nga qytetarët edhe në muajt e tjerë. Për shkak se kujdesi ndaj të gjithë qytetarëve apo ndaj të gjithë pacientëve duhet të jetë 365 ditë të vitit e jo vetëm të fokusohet në një ditë të shënuar ndërkombëtare, për shembull për problemet e tjera ose sëmundjet e tjera siç e kishim ditën e sëmundjeve kardiake para pak ditëve. Domethënë të kemi një angazhim dhe një kujdes më të gjatë ndër vite. Dhe ne kemi punuar ndër vite për të realizuar dhe për të pasur aktivitete gjatë gjithë vitit. Dhe që qytetari ta ndiejë dorën e institucioneve shëndetësore edhe muajve të tjerë apo ditëve të tjera. Përjashtim prej kësaj, muaji rozë ose lufta për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit është më e gjatë, është një muaj, fillon më 1 tetor dhe përfundon më 31 tetor”, tha ai.

Të ngjashme