Policia dhe Terre des Hommes me aktivitet vetëdijësues kundër dhunës ndaj fëmijëve

Prishtinë | 02 Tet 2026 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Terre des hommes Kosova, kanë realizuar një aktivitet vetëdijësues me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës, me fokus në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, raporton Ekonomia Online.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, familjeve, shkollave dhe organizatave për parandalimin e dhunës, e cila shfaqet në forma të ndryshme.

Zyrtari i parandalimit të delikuencës në kuadër të Sektorit për Parandalimin e Delikuencës në Policinë e Kosovës, Edvim Haxhiu, tha se policia mbetet e përkushtuar në parandalimin e çdo forme të dhunës dhe në ruajtjen e sigurisë publike.

“Me rastin e 2 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës, së bashku, Policia e Kosovës së bashku me organizatat partnere, respektivisht organizatën joqeveritare Terre des hommes Kosova, po e realizojmë dhe shënojmë këtë ditë. Me këtë rast ne po e rikonfirmojmë përkushtimin tonë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Mbi të gjitha, Policia e Kosovës është e përkushtuar në kultivimin e ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Me rastin e shënimit të kësaj dite, Policia e Kosovës është e përkushtuar në respektimin e parimeve globale të paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë, që e reflekton drejtpërdrejtë edhe punën tonë në misionin tonë të përditshëm. Policia e Kosovës gjithashtu është e përkushtuar maksimalisht që të bëjë parandalimin e çfarëdo forme të dhunës në përgjithësi. Me anë të aktiviteteve të saja policore, në kuadër të Policisë së Kosovës, ne zbatojmë strategji organizative dhe operacionale ku direkt kontribuojmë në vetëdijsimin dhe parandalimin e dhunës në përgjithësi. Andaj, unë i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të kenë besim dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në raportimin e çdo akti apo rasti të dhunës. Sepse parandalimi i dhunës është përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i organizatës Terre des hommes Kosova, Fatjon Zeqiri, tha se dy të tretat e fëmijëve në Kosovë kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës, bazuar në hulumtimet e mëparshme të organizatës.

“Sot jemi mbledhur në një aktivitet të përbashkët që kemi organizuar me Policinë e Kosovës, është Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës dhe tematika sot është specifikisht dhuna kundër fëmijëve. Realisht sot fëmijët në Kosovë përballen me dhunë që mundet me u shfaqur në forma të ndryshme, qoftë dhunë verbale, psikologjike, fizike edhe dhuna online. Sipas të dhënave tona të mëparshme që kemi realizuar me hulumtime të ndryshme, dy të tretat e fëmijëve në Kosovë e kanë përjetuar njërën prej formave të dhunës. Andaj edhe adresimi i dhunës edhe parandalimi i saj është parakusht për me ndërtuar një shoqëri të shëndetshme, përnjëmend një shoqëri ku fëmijët jetojnë në një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm. Kështu që sot është një aktivitet vetëdijësues për me punuar më shumë në aspektin e parandalimit, që së bashku me institucionet, me familjet, me shkollat, me komunitetet, me organizatat, me punuar më shumë që dukuria e dhunës ndaj fëmijëve të trajtohet nga të gjithë ne”, tha ai.

Të ngjashme