Studiuesit në Suedi kanë zhvilluar një sistem të inteligjencës artificiale (IA), të aftë të gjenerojë hipoteza shkencore, të hartojë eksperimente dhe të interpretojë rezultatet.
“Ka shumë informacion për t’u analizuar nga një njeri, por shkencëtari ynë i IA mund të identifikojë pyetje biologjike premtuese, të rekomandojë eksperimente për t’i testuar ato, të vlerësojë rezultatet eksperimentale dhe të përmirësojë në mënyrë të përsëritur të kuptuarit e tij bazuar në provat e reja”, tha Ievgeniia Tiukova, studiuese në Universitetin e Teknologjisë Chalmers dhe një nga autoret e studimit të ri që shqyrtoi këtë sistem të IA.
Autorët vunë në dukje se e ardhmja e kërkimit shkencor qëndron te automatizimi. Përparimet në robotikë, inteligjencë artificiale dhe teknologjitë me kapacitet të lartë po transformojnë procesin shkencor.
“Shkencëtarët e IA do të bashkëpunojnë me shkencëtarët njerëzorë për të përshpejtuar zbulimet në biologji, mjekësi dhe bioteknologji”, tha Ross King, autori kryesor i studimit në Universitetin e Gothenburgut.
Studiuesit thanë se zgjidhje të tilla të IA mund të minimizojnë paragjykimet njerëzore, të përshpejtojnë ciklet e kërkimit dhe të reduktojnë variacionet e shkaktuara nga gabimet njerëzore, regjistrimi jo i plotë i protokolleve eksperimentale, kushtet mjedisore dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në rezultatet dhe riprodhueshmërinë e tyre, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, autorët theksuan se njerëzit do të mbeten kyç në kërkimin shkencor.
“Njerëzit do të mbeten thelbësorë për përcaktimin e prioriteteve, interpretimin e konteksteve më të gjera, zhvillimin e programeve kërkimore dhe garantimin e respektimit të rregullave etike”, tha King.
Ndërsa përdorimi i IA në kërkimin shkencor po përparon, organizatat ndërkombëtare po ndërmarrin hapa për të përcaktuar mënyrën se si duhet të rregullohet ai.