Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-San Marino, e cila do të zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe lehtësimin e qarkullimit të automjeteve në kryeqytet, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit në disa prej akseve rrugore pranë stadiumit.
Sipas Policisë, rrugët që do të jenë të bllokuara janë:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si korridor hyrjeje për në parkimin e përcaktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
Te sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të lira për qarkullimin e automjeteve.
Policia e Shtetit njofton se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme apo të palejuara.
Ndër sendet që nuk do të lejohen në stadium janë banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrët, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikuesit e celularëve, produkte apo mjete kozmetike dhe sende të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke nisur nga ora 18:30. Sipas uniformave blu, për shkak të fluksit të madh të tifozëve, ata që mbërrijnë pak para nisjes së ndeshjes mund të përballen me vonesa dhe të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium në kohë.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë, në terren do të angazhohen qindra punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët do të ofrojnë gjithashtu ndihmë dhe informacion për tifozët dhe qytetarët.
Policia bën apel për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që ndeshja Shqipëri-San Marino të zhvillohet pa incidente dhe aktiviteti sportiv të përmbyllet në mënyrën më të sigurt.