Lushtaku: Liria dhe institucionet tona janë rezultat i sakrificës së popullit dhe ndihmës ndërkombëtare

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj raportimeve dhe deklaratave lidhur me ndërhyrjet e mundshme apo trysninë e diplomatëve të huaj ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Përmes një reagimi, Lushtaku ka deklaruar se lajmet për përfshirjen e ambasadorëve të huaj në këtë çështje nuk i bëjnë nder as vetë atyre, ndërsa ka nëvizuar rëndësinë e respektimit të sakrificës së popullit të Kosovës dhe sovranitetit të institucioneve vendëse.

“Lajmet se ambasadorët e huaj u janë vërsulur Gjykatës Kushtetuese nuk u bëjnë nder as vetë atyre. Uroj që, kur të hyjnë në Gjykatën Kushtetuese, nga rojtari e deri te gjyqtarët, t’ua kujtojnë ambasadorëve se liria jonë dhe institucionet tona janë rezultat i sakrificave të mëdha të popullit të Kosovës, si dhe i ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare,” ka thënë Lushtaku.

Po ashtu, deputeti i PDK-së ka theksuar prerazi se korniza ligjore që mbron vlerat e luftës çlirimtare nuk duhet të vihet në dyshim nga asnjë palë.

“Ligji për mbrojtjen e pastërtisë së luftës sonë nuk duhet të kontestohet nga askush, por të zbatohet nga organet përkatëse,” përfundoi ai.

Të ngjashme