Muharremi: Ndërhyrja në Gjykatën Kushtetuese nuk është vlerë europiane

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Shënoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj vizitave dhe ndikimeve të mundshme të diplomatëve të huaj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke e cilësuar këtë qasje si veprim që bie ndesh me standardet dhe vlerat europiane.

Përmes një reagimi publik, Muharremi ka kërkuar nga ambasadorët e huaj që të mos tejkalojnë mandatin e tyre diplomatik dhe të kthehen në detyrat e tyre zyrtare, pa u përpjekur të ndikojnë në vendimmarrjen e institucioneve supreme të drejtësisë në vend.

“Ambasadorët e jashtëm, individualisht, nuk duhet me u sjellë te Gjykata Kushtetuese. Nuk jam i sigurt që është një veprim i mirë e as vlerë europian me shku me tentu me i ndiku vendimet më thelbësore të një shteti,” ka deklaruar ai.

Muharremi ka ngritur pyetje retorike lidhur me praktikat diplomatike, duke pyetur se a do të kishte qenë e pranueshme një ndërhyrje e tillë në vendet e origjinës së vetë diplomatëve.

“A kishte me qenë e pranueshme dhe a është vlerë europiane me shku me ndiku drejtësinë në vendet tuaja të origjinës? A kishin me qenë të kënaqur publiku, qytetarët e tatimpaguesit e vendit tuaj sikur ta dinin që ju po tentoni të ndërhyni në drejtësi dhe potencialisht të ndikoni në vendimet që merr një gjykatë? Mos e komprometoni shtetin që e përfaqësoni dhe kthehuni në zyrën tuaj. Kryejeni punën brenda mandatit që keni si ambasadorë,” ka nërvizuar analisti.

Për më tepër, ai ka theksuar se megjithëse Kosova ka një demokraci të re, institucionet e saj nuk duhet të cenojnë pavarësinë e tyre për shkak të interesave të caktuara politike.

“Fakti që Kosova mund të jetë një vend me demokraci të re e me institucione më infante nuk dmth që ato duhet të disi ‘dhunohen’ nga interesat individuale të politikave ditore. Kosovën duhet me e ndihmu me i përmirësu kapacitetet e saj e sidomos me e përshpejtu rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE,” shtoi Muharremi, duke përfunduar se “ndërhyrja në vendimet e gjykatave nuk është as standard, as vlerë europiane. Përkundrazi.”

Të ngjashme