Lushaku-Sadriu: Gratë kanë nevojë për mbrojtje sa janë gjallë

Prishtinë | 09 Tet 2026 | 20:24 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjes së vëllait tjetër.

Ajo e ka cilësuar rastin si një tragjedi të rëndë dhe alarm për shoqërinë, duke theksuar se asnjë arsye nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj grave.

“Asnjë grua nuk është pronë e askujt! As martesa, as xhelozia, as asnjë arsye nuk mund të shërbejnë si arsyetim për dhunën dhe vrasjen”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Deputetja e LDK-së ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve, duke kërkuar të dihet nëse kishte paralajmërime dhe nëse tragjedia mund të parandalohej.

Ajo ka kritikuar reagimet që vijnë vetëm pas rasteve të tilla, duke theksuar se gratë kanë nevojë për mbrojtje para se të bëhen viktima të dhunës.

“Gratë kanë nevojë për mbrojtje sa janë gjallë, jo për drejtësi vetëm pasi të jenë vrarë!”, ka theksuar ajo.

Në fund, Lushaku-Sadriu ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimave, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi të plotë për rastin.

Të ngjashme