Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Ndrejaj, ka paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, ndërsa infektologu Shemsedin Dreshaj thotë se deri më tani nuk ka dëshmi se varianti i ri është më i rrezikshëm se variantet paraprake.
Në Kosovë nuk ka konfirmim për raste të infektimit me variantin e ri të COVID-19, të njohur si “Stratus”, i cili po qarkullon në Mbretërinë e Bashkuar
“Për këtë variant që e përmendët, nuk kemi konfirmim nga IKSHPK-ja. Sa i përket rrezikut të përhapjes së sëmundjeve infektive, natyrisht jo vetëm Covid 19 por me lëvizje- migrim të popullatës edhe sëmundje të tjera infektive mund të përhapen, pra migrimi e favorizon përhapjen e sëmundjeve infektive”
Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Vera Ndrejaj, e cila ka theksuar se lëvizjet dhe migrimi i popullatës mund të favorizojnë përhapjen e sëmundjeve infektive.
Ndërkaq, infektologu Shemsedin Dreshaj ka vlerësuar se asnjë vend nuk mund të përjashtohet nga rreziku i përhapjes së këtij varianti.
““Në periudhën e globalizimit gjasat që të kemi përhapje globale të një infeksioni janë, mirëpo, të njohurat të deri sotme lidhur me këtë virus, nuk dëshmojnë që është diçka më i rrezikshëm se sa variantet paraprake të Covid-19 që i kemi evidentuar në botë dhe në vend. Niveli i imunizimit të popullatës si me vaksina si dhe kontakte të drejtpërdrejta me virusin e egër, kanë bërë atë që manifestimet klinike të nënvarianteve të Covid-19 të jenë më të buta se sa varianti origjinal” theksoi Dreshaj.