Rama: Shqipëria mbyll sot një tjetër kapitull të negociatave për anëtarësim në BE

Prishtinë | 13 Tet 2026 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar nga Luksemburgu se vendi do të mbyllë sot një tjetër kapitull në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh optimist për ecurinë e procesit, duke theksuar se synimi është mbyllja e sa më shumë kapitujve brenda këtij viti.

Në një deklaratë për mediat, Rama tha se përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është i pandalshëm, ndërsa bëri të ditur se ka zhvilluar edhe disa takime që, sipas tij, kanë qenë inkurajuese për hapat e ardhshëm të procesit.

“Jemi kthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam zhvilluar disa takime inkurajuese për atë që vjen më pas. Planet janë ambicioze brenda këtij viti”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se qeveria shqiptare synon të avancojë më tej me negociatat dhe se pala shqiptare do të jetë në përputhje me afatet e përcaktuara.

“Synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj dhe jam absolutisht i bindur se, sa i takon palës sonë, do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet. Nuk do të thosha shifrën se sa kapituj do të mbyllen, por sot do të mbyllim edhe një kapitull tjetër, që bëhen katër gjithsej. Kanë mbetur të paktën edhe dyfish më shumë, që pritet të jetë shifra, të paktën për këtë vit, por le të shohim”, përfundoi Rama.

Të ngjashme