Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e trajtimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.
Përmes një postimi, Bajrami ka thënë se projektligji ishte sot në rend dite për shqyrtim në shumicën e komisioneve parlamentare, por ka kundërshtuar që ky proces të cilësohet si rishikim i mirëfilltë i buxhetit.
Sipas saj, përveç Ministrisë së Financave, asnjë organizatë tjetër buxhetore nuk ka pasur mundësi ta rishikojë buxhetin e saj.
Bajrami ka kritikuar edhe qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se gjatë gjashtë vjetëve në pushtet nuk është bërë asnjëherë një rishikim i mirëfilltë i buxhetit.
Ajo ka theksuar se nevoja për një rishikim të tillë, sipas saj, dëshmohet nga raportet e vetë Ministrisë së Financave.
“ Sipas raportit gjashtëmujor të shpenzimit të buxhetit, mbi 60% e projekteve kapitale normën e realizimit deri më 30 qershor e kanë 0%”, ka shkruar Bajrami.
Deklaratat e deputetes së LDK-së vijnë në kohën kur në komisionet parlamentare po shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026.