Komandanti i ri i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka thënë se misioni do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij dhe në krijimin e kushteve për një të ardhme me paqe të qëndrueshme, demokraci dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Vergori këto deklarata i bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, pas marrjes së detyrës nga gjeneralmajori Özkan Ulutaş. Ai theksoi se shërbimi ndaj njerëzve dhe përgjegjësia për mbrojtjen e tyre janë në thelb të misionit ushtarak.
“Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit. Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit. Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Komandanti i ri i KFOR-it e cilësoi marrjen e detyrës si privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke rikujtuar se misioni në Kosovë është operacioni më i gjatë dhe, sipas tij, ndoshta më i madhi i NATO-s.
“Edhe në vitin 1999, kur fillova dislokimin tim të parë operacional, nuk do ta kisha menduar se një ditë do të shërbeja në operacionin më të gjatë dhe, ndoshta, më të madh të NATO-s. Sot, të jem pjesë e këtij misioni nuk është vetëm detyrë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç u tha, edhe unë i bashkohem këtij përkushtimi ndaj Kosovës. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e mandatit tonë afatgjatë, me angazhim të vazhdueshëm operacional”, tha ai.
Vergori foli edhe për rëndësinë e kalimit të përgjegjësive në jetën ushtarake, duke theksuar se shërbimi dhe detyra qëndrojnë mbi interesat personale.
“Ndryshimet e komandës dhe kalimi i përgjegjësive janë pjesë e pandashme e jetës ushtarake, veçanërisht kur jemi të dislokuar jashtë vendit. Por sot është më shumë se kaq. Është më shumë sesa një dorëzim formal i detyrës. Shërbimi është themeli i ushtrisë. Detyra vjen gjithmonë e para. Jo sepse kemi diçka për të përfituar, por sepse tashmë kemi bërë zgjedhjen tonë: t’ia kushtojmë jetën shërbimit ndaj njerëzve të cilët kemi përgjegjësi t’i mbrojmë. Kjo është ajo që u jep kuptim uniformave që mbajmë”, tha ai.
