Fehmi Zabeli, dëshmitar në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, ka deklaruar se nuk i kishte parë asnjëherë as të akuzuarin, as viktimën, ndërsa për ngjarjen kishte marrë vesh pasi e kishte telefonuar roja i hotelit.
I pyetur nëse kishte rastisur t’i shihte Endrit Nikën dhe viktimën, Zabeli u përgjigj: “Jo, nuk i kam parë asnjëherë”.
Duke folur për ditën kur kishte ndodhur rasti, dëshmitari tha se kishte qëndruar në hotel, ku banonte gjatë sezonit, dhe se ndodhej dy kate më lart nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.
“Kam qenë në hotel se gjatë sezonës qëndroj aty, aty flej. Kam qenë dy kat më lart sesa rasti që ka ndodhë në rastin. Derisa më kanë telefonu, nuk kam ditë asgjë. S’kom dëgju asgjë, më ka telefonu roja, me emrin Ramiz. Pas pesë minutave kam dalë poshtë, se më ka thënë që ka rënë një grua”, deklaroi Zabeli.
Ai tha se më pas e kishte njoftuar Mirlindin, i cili, sipas tij, ishte duke fjetur, ndërsa kur kishte zbritur poshtë, nuk e kishte parë viktimën.
“Kur zbrita, nuk e kam pa vajzën, por pjesëtarët e policisë edhe disa xhama, se nuk e disha çka ka ndodhë”, tha ai.
Zabeli tregoi se më pas ishte paraqitur te policia dhe ishte identifikuar, duke ua dorëzuar zyrtarëve një dokument identifikimi.
“Kam shku te policia, jam prezantu, ia kam dhënë një letërnjoftim. Më pas kanë ardhë patrullat tjera edhe më pas zbriti Mirlindi. Kam qëndru në recepsion dhe më pas kam shku me pushu, se kam pasë mu qu herët. Kam qëndru një-dy orë dhe kam shku me fjetë”, deklaroi dëshmitari.
I pyetur nëse, pas ndodhjes së rastit, kishte parë incizimet e kamerave ku shfaqeshin Endrit Nika dhe viktima, Zabeli e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, nuk kam pa kamera”, tha ai.
Megjithatë, kur u pyet sërish nëse kishte parë pamje nga kamerat e sigurisë, ai sqaroi se një pjesë të incizimeve e kishte parë në media.
“I kam pa një pjesë shumë të shkurt kur ka ra ajo vajza, pjesën tjetër e kam pa në media”, u shpreh Zabeli.
Dëshmitari deklaroi gjithashtu se në dhomë kishte hyrë vetëm një javë pas ngjarjes.
“Në dhomë kam hyrë pas një jave. Kur kam pa dhomën, ende nuk ka pasë xham”, tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte shpallur fajtor Endrit Nikën, duke e dënuar me 18 vjet burgim.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.