Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, të raportojnë para Komisionit për Siguri lidhur me operacionin e Policisë gjatë protestës së fundit në Prishtinë.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Musliu ka këmbëngulur që institucionet përgjegjëse të japin llogari për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve.
“Mendoj se në javën e fundit të tetorit, drejtori i përgjithshëm i Policisë duhet të jetë para këtij komisioni, të na njoftojë për komplet operacionin dhe të raportojë për të gjithë situatën që ka ndodhur atë ditë”.
“Po ashtu, propozim e kam që gjatë muajit nëntor, meqë duhet pak kohë për hetimet, të ftohet edhe shefi i këtij institucioni, IPK-së. Ju e dini që IPK-ja ka filluar hetimet për ngjarjet e 5 tetorit, kështu që gjatë muajit nëntor duhet të ftohet edhe shefi i këtij institucioni, që të na njoftojë lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar për të gjitha ato ngjarje”, ka deklaruar mes tjerash Musliu.