“Përplasja” për Teatrin mes Ramës dhe Bugujevcit

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas kritikave të tij për vonesat në renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Përparim Rama, për dallim nga ju, ne trashëgiminë kulturore nuk e trajtojmë sipas interesave të ditës, por me përgjegjësi dhe respektim të ligjit. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë mbi shtatë milionë euro. Punimet po vazhdojnë me dinamikë të lartë. Në hartimin e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve janë të përfshirë profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, ndërsa punimet po kryhen nga operatorë të licencuar për konservim”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Sipas saj, qëllimi i ministrisë është modernizimi i Teatrit Kombëtar, krijimi i kushteve të dinjitetshme për artistët, stafin dhe publikun, si dhe ruajtja e vlerave historike të ndërtesës.

“Kisha pasur qejf që, me të njëjtin seriozitet me të cilin punojmë ne për trashëgiminë kulturore, të punonit edhe ju për Prishtinën. Ndoshta, po të merreshit me zgjidhjen e problemeve të qytetit, nuk do të kishit nevojë t’i përdornit punët tona për sulme politike. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë trashëgiminë tonë me punë konkrete, profesionalizëm dhe respektim të ligjit”, shtoi ajo.

Paraprakisht, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e kishte kritikuar Qeverinë për procesin e zgjatur të renovimit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

“A PO E NJIHNI KËTË OBJEKT? Është Teatri Kombëtar i Kosovës, në mes të Prishtinës, që tash e pesë vjet është në renovim! A po e shihni atë ‘mbindërtim’ atje? Kështu po e rinovon MKRS-ja thesarin e kulturës sonë, Teatrin Kombëtar”, kishte shkruar Rama.

Ndërkohë, Rama kishte thënë se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) e ka bllokuar “krejt Prishtinën në emër të mbrojtjes së trashëgimisë”, ndërsa në ndërtesën e Teatrit, sipas tij, po lejohet mbindërtimi.

Të ngjashme