Fitorja e Harry Kane në garën për Topin e Artë 2026 nuk është pritur me shumë entuziazëm në Argjentinë.
Mediat kryesore të vendit e kanë pasqyruar triumfin e sulmuesit anglez, por nuk e kanë fshehur zhgënjimin për vendin e pestë të Lionel Messit në renditjen përfundimtare.
Gazeta argjentinase “Olé” ka theksuar se juria i ka dhënë përparësi paraqitjeve të lojtarëve me klubet gjatë sezonit, duke zgjedhur Kane përpara yllit argjentinas, përcjell “Gazeta Express”.
Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi, veçanërisht duke marrë parasysh ndikimin e Messit me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës 2026.
Kapiteni i Inter Miamit, fitues i tetë Topave të Artë, e përfundoi turneun botëror si një nga protagonistët kryesorë, duke e udhëhequr edhe një herë Argjentinën drejt finales.
Rrugëtimi i argjentinasve u shoqërua edhe me një fitore të rëndësishme pikërisht ndaj Anglisë së Harry Kane, të cilën e mposhtën pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme të numrit 10.
“Messi është gjithmonë më i miri për ne”
“Olé” nuk e ka fshehur pakënaqësinë për renditjen përfundimtare, duke vënë në pikëpyetje vendimin për ta pozicionuar Messin në vendin e pestë.
“Messi është gjithmonë më i miri për ne, edhe pse evropianët e zgjodhën anglezin e Bayernit si më të mirin e sezonit 2025/26, duke e lënë GOAT-in në një vend modest, të pestin”, shkruan gazeta argjentinase në ballinën e saj.
Për mediat argjentinase, renditja e Messit nuk e pasqyron plotësisht ndikimin e tij në futbollin ndërkombëtar dhe rolin që pati gjatë Botërorit.
Kane triumfon, Messi mbetet jashtë podiumit
Harry Kane e fitoi Topin e Artë 2026, duke lënë pas Kylian Mbappen dhe Lamine Yamalin, të cilët përfunduan përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
Rodri u rendit i katërti, ndërsa Messi e mbylli garën në pozitën e pestë.
Pavarësisht këtij rezultati, në Argjentinë vazhdojnë ta konsiderojnë Messin më të mirin, ndërsa vendimi i jurisë për t’ia dhënë çmimin Kane ka nxitur diskutime për kriteret që përcaktuan fituesin e këtij edicioni.