Fshati shqiptar në Bullgari që po zhduket, vetëm 20 banorë ende flasin shqip

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Në jug të Bullgarisë ndodhet një fshat i veçantë, ku gjuha shqipe vazhdon të dëgjohet edhe pas disa shekujsh. Mandrica, i themeluar nga shqiptarët në shekullin XVII, dikur kishte mbi 3 mijë banorë, ndërsa sot vetëm rreth 20 banorë të moshuar vazhdojnë të flasin shqip.

 I vendosur në rajonin e Rodopeve, në jug të qytetit Ivajllovgrad, Mandrica konsiderohet fshati i vetëm shqiptar në Bullgari. Përveç gjuhës, ai ka ruajtur edhe një arkitekturë të veçantë, me shtëpi të larta prej tullash balte, druri dhe guri.

 Sipas një reportazhi të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), shumë prej këtyre ndërtesave tashmë janë braktisur dhe po shkatërrohen, por gjurmët e së kaluarës vazhdojnë të dëshmojnë historinë e komunitetit shqiptar.

 Në periudhën e lulëzimit, fshati kishte 2 shkolla, ambulancë, spital, maternitet dhe fabrikë pijesh freskuese. Mandrica ishte gjithashtu një qendër e rëndësishme e prodhimit të mëndafshit, ku banorët kultivonin krimbat e mëndafshit brenda shtëpive të tyre.

 Një nga banoret që vazhdon të flasë shqip është 93-vjeçarja Sultana, e cila rrëfen se gjuha është trashëguar brez pas brezi, pavarësisht ndryshimeve historike.

 Ajo tregon se banorët e flisnin shqipen në familje, ndonëse dialekti i tyre dallon nga shqipja që flitet sot në Shqipëri dhe Kosovë.

 Sipas saj, dikur gjyshërit e tyre ishin penguar ta përdornin gjuhën shqipe, por vazhdonin ta flisnin në shtëpi.

 Sultana kujton gjithashtu se në dokumentet e identifikimit dikur regjistroheshin si shqiptarë, ndërsa më vonë përkatësia e tyre ishte ndryshuar në bullgarë.

Shtëpitë e pazakonta që ruajnë historinë shqiptare

Një tjetër veçori e Mandricës janë shtëpitë tradicionale, disa prej të cilave arrijnë deri në 3 kate.

Ato janë ndërtuar me themele guri, struktura druri dhe tulla balte të thara në diell, pa u pjekur në furra.

Anton Hristov, nipi i Sultanës, i cili po përpiqet të zhvillojë turizmin në fshatin e të parëve të tij, shpjegon se këto ndërtesa ishin projektuar posaçërisht për kultivimin e krimbave të mëndafshit.

Kati i parë zakonisht përdorej për kafshët, i dyti për kultivimin e krimbave të mëndafshit, ndërsa kati i tretë për banimin e familjeve.

 Sipas tij, ndërtimi i këtyre shtëpive kërkonte punë të jashtëzakonshme, ndërsa materialet natyrore siguronin temperaturë të qëndrueshme dhe ajrosje.

Për izolimin e dyshemeve përdorej një përzierje balte dhe plehu bagëtish, teknikë tradicionale që ndihmonte në ruajtjen e temperaturës gjatë verës dhe dimrit.

Përpjekjet për të shpëtuar trashëgiminë

Hristov ka nisur restaurimin e një ndërtese të vjetër, të cilën po e shndërron në bujtinë ekologjike, duke përdorur teknikat tradicionale të ndërtimit.

Ai bashkëpunon me organizatën e arkitektëve Meshtra për organizimin e punëtorive, ku vizitorët mësojnë të përgatisin tulla balte, suva dhe materiale të tjera natyrore.

Përmes këtyre aktiviteteve, synohet ruajtja e trashëgimisë arkitekturore dhe tërheqja e vizitorëve të interesuar për historinë e fshatit.

Megjithatë, sfida më e madhe mbetet ruajtja e gjuhës shqipe, e cila sot flitet vetëm nga një numër i vogël banorësh të moshuar.

Mandrica mbetet dëshmi e pranisë shekullore të shqiptarëve në Bullgari, ndërsa shtëpitë e braktisura dhe dialekti i rrallë shqip kujtojnë një komunitet që dikur ishte shumë më i madh.

Të ngjashme