Taylor Swift bëhet anëtarja më e re e Hall of Fame të kantautorëve në Nashville

Prishtinë | 28 Tet 2026 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja amerikane Taylor Swift është bërë anëtarja më e re në historinë e Hall of Fame të Kantautorëve të Nashville-it, pasi u nderua të hënën me këtë vlerësim në moshën 36-vjeçare, për kontributin e saj në muzikë dhe në artin e shkrimit të këngëve.

Ceremonia u mbajt në Music City Center, ku Swift u prezantua nga këngëtari Brad Paisley, me të cilin kishte ndarë skenën gjatë turneve të hershme, ndërsa këngëtarja Lainey Wilson interpretoi një version të veçantë të hitit të saj “Love Story”.

Gjatë fjalimit, Swift u kthye te fillimet e karrierës së saj në Nashville, qyteti ku nisi të zhvillonte talentin si kantautore që në adoleshencë. Ajo kujtoi se kishte nënshkruar kontratën e parë me Sony Publishing në moshën 14-vjeçare dhe se ishte përfshirë menjëherë në punën krijuese.

“Ishe me fat që mora një kontratë botimi me Sony Publishing kur isha 14 vjeçe dhe menjëherë u përkushtova plotësisht”, kujtoi Swift, duke shtuar me humor se në atë kohë ishte si një sfungjer që thithte çdo njohuri të re.

Ajo e cilësoi Nashville-in si vendin që e kishte rritur artistikisht dhe që i kishte dhënë mundësinë të mësonte nga kantautorë me përvojë. “Nuk ka komunitet muzikor si ky. E di, i kam kontrolluar të gjitha komunitetet”, tha këngëtarja.

Swift foli edhe për rëndësinë që kanë kujtimet e viteve të para në karrierën e saj, veçanërisht në momentet kur fama dhe vëmendja publike bëhen të vështira për t’u përballuar. Sipas saj, kujtimet nga Nashville-i e ndihmojnë të rikthehet te arsyeja pse e nisi rrugëtimin muzikor.

Ajo kujtoi gjithashtu bashkëpunimet e hershme me kantautorë si Liz Rose dhe producentin Nathan Chapman, i cili punoi në demonstrimet e saj të para dhe më pas në albumin debutues. Swift u shpreh e habitur që albumi i saj i parë tashmë ka mbushur 20 vjet.

Një nga momentet më humoristike të mbrëmjes ishte rrëfimi për Brad Paisley-n, të cilin e akuzoi me shaka se, gjatë një turneu në vitin 2007, ia kishte mbushur autobusin me mijëra bulktha të gjallë si pjesë e një shakaje. Swift tha se zhurma e tyre e kishte mbajtur zgjuar për muaj të tërë, por në fund e fali këngëtarin për prezantimin e tij në ceremoni.

Në këtë edicion të Hall of Fame u nderuan edhe kantautorët Lyle Lovett, Bruce Channel, Shawn Camp dhe Lee Thomas Miller, si dhe pas vdekjes J.I. Allison, anëtar i grupit The Crickets. Gjatë mbrëmjes, ylli i muzikës country George Strait mori çmimin Career Maker Award, për ndikimin e tij në karrierën e artistëve të tjerë.

Sipas traditës së ceremonisë, këngët e të nderuarve u interpretuan nga artistë të tjerë. Për Swift-in, Lainey Wilson solli një version të thjeshtuar të “Love Story”, ndërsa këngëtarja e vlerësoi publikisht Wilson-in dhe promovoi këngën e saj të re, “Kinda Love It”.

Ky vlerësim vjen vetëm katër muaj pasi Swift u bë anëtarja më e re e Hall of Fame të Kantautorëve në New York, duke forcuar edhe më tej vendin e saj në historinë e muzikës si një nga kantautoret më të suksesshme të brezit të saj.

Për Swift-in, nderimi në Nashville ka një domethënie të veçantë, pasi qyteti përfaqëson vendin ku u formua si autore këngësh dhe ku nisi rrugëtimi që do ta shndërronte në një prej emrave më të njohur të muzikës botërore./KultPlus.com

Të ngjashme