Senatori brazilian Flavio Bolsonaro dhe familja e tij mbërritën në Miami të mërkurën, ku qeveria e Shteteve të Bashkuara do t’u japë viza hyrëse, pasi ai refuzoi të zbatonte një urdhër të Gjykatës Supreme të Brazilit për të dorëzuar pasaportat e tij.
Bolsonaro, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të së dielës përballë kandidatit të së majtës, Luiz Inacio Lula da Silva, u largua nga Brazili në fshehtësi të plotë pas urdhrit të gjykatës – urdhër që lidhet me një hetim për pastrim parash, në të cilin ai mohon të ketë kryer ndonjë shkelje.
Pamjet e Reuters TV treguan Bolsonaron, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat duke zbritur nga avioni “Gulfstream G400” dhe duke hyrë në aeroportin “Miami-Opa Locka Executive Airport”.
Udhëtimi i tyre drejt Shteteve të Bashkuara tërhoqi vëmendjen në të gjithë rajonin. Sipas departamentit të migracionit të Argjentinës, ata hynë në veri të këtij vendi të martën vonë në mbrëmje dhe më pas udhëtuan me një avion privat drejt qytetit ekuadorian, Guayaquil. Prej aty, ata fluturuan për në Miami, transmeton Klankosova.tv.
As presidenca e Argjentinës, as ministritë e Ekuadorit dhe as “Baires Fly” – operatori i avionit privat – nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.