Dy persona, një burrë dhe një grua, kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu gjatë natës një magazinë të braktisur në Porto Vecchio, në Trieste të Italisë.
Ngjarja ndodhi në një zonë ku emigrantët që mbërrijnë në Trieste përmes rrugës ballkanike gjejnë shpesh strehim të përkohshëm.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta zjarrfikëse, polici dhe ambulanca, të cilat nisën menjëherë operacionet për shuarjen e flakëve. Gjatë ndërhyrjes, në ambientet e magazinës u gjetën dy trupa të pajetë, të cilët ishin karbonizuar.
Si pasojë e zjarrit, një pjesë e papafingos së ndërtesës u shemb. Zjarrfikësit vijuan punën për përfundimin e operacioneve dhe verifikimin e plotë të ambienteve, për të përjashtuar mundësinë e pranisë së personave të tjerë.
Rrethanat e zjarrit dhe identiteti i viktimave mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet italiane.