Kurti viziton STATION F në Paris, thotë se sektori i TIK-ut në Kosovë përbën 6 për qind të BPV-së

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Paris ka vizituar STATION F, kampusin dhe inkubatorin më të madh në botë për startup-e, ku ka takuar përfaqësues të kompanive që veprojnë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Përmes një postimi, Kurti ka treguar se kjo ndërtesë, e cila fillimisht ishte përdorur si depo kryesore e mallrave dhe stacion trenash deri në vitin 2000, tash e më shumë se një dekadë shërben si qendër e teknologjisë dhe inovacionit.

Ai ka bërë të ditur se STATION F ka rreth 34 mijë metra katrorë hapësirë, më shumë se 700 investitorë, qasje për mbi 9 mijë startup-e dhe mbi 30 programe.

“Një ndërtesë njëshekullore, që ishte ngritur dhe kishte shërbyer si depo kryesore mallrash e stacion trenash në Paris deri në vitin 2000 kur ishte mbyllur, tash e mëse një dekadë është qendër e teknologjisë dhe inovacionit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se gjatë vizitës kanë pasur mundësi të takohen me përfaqësues të kompanive që zhvillojnë platforma të integruara për mbështetjen e vendimmarrjes dhe hartimin e politikave publike, duke ndërthurur administratën publike, shkencën e sjelljes dhe inteligjencën artificiale.

Po ashtu, Kurti ka përmendur takimet me kompani të teknologjisë së mbrojtjes, të specializuara në zhvillimin e sistemeve autonome nënujore dhe dronëve detarë.

“TIK është nga sektorët më dinamik të ekonomisë sonë dhe aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor. Potenciali është më i madh se kaq, andaj ndërtimi i një ekosistemi, krahas bashkëpunimit, shkëmbimeve, përvojave dhe partneriteteve me ekspertë e qendra të tilla, i shërben përmbushjes së tij”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, zhvillimi i bashkëpunimit, shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i partneriteteve me qendra ndërkombëtare të teknologjisë janë të rëndësishme për shfrytëzimin e potencialit të sektorit të TIK-ut në Kosovë.

Të ngjashme