Me 09.11.2026, rreth orës 11:00, patrulla policore e Stacionit Policor në Prizren, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, është informuar nga zyrtarët e inteligjencës së stacionit se një person ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër arrest aktiv po lëvizte me një automjet në territorin e Prizrenit.
Menjëherë pas pranimit të informacionit lidhur me identitetin e personit dhe lokacionin e tij, patrulla policore është vënë në veprim. Brenda një kohe të shkurtër është lokalizuar dhe ndaluar automjeti i dyshuar, si dhe janë kontrolluar tre personat që ndodheshin në të.
Pas identifikimit, është konstatuar se drejtuesi i automjetit, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër arrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti ishte i dënuar me vendim të formës së prerë me pesë (5) vjet burgim efektiv për vepra penale që lidhen me narkotikët.
Së bashku me personin e kërkuar në automjet gjendeshin edhe dy persona të tjerë. Gjatë kontrollit, tek njëri prej tyre është gjetur dhe është sekuestruar një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 7 gramë. Personi i dyshuar, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme. Ndërkaq, personi i tretë, pas verifikimeve të nevojshme, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, mbetet e përkushtuar në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të gjithë personave ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër arreste aktive. Për realizimin e këtij objektivi është formuar edhe një grup i veçantë operacional (Task Forcë), i cili është i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në zbatimin e urdhër arresteve dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar.