Anija “Sparta II” që po lundronte drejt Rusisë, është goditur nga një sulm në Gjirin e Filandës.
Forcat e mbrojtjes finlandeze kanë deklaruar se pas sulmit ka gjasa të qëndrojë Ukraina, derisa Kievi ende nuk ka bërë ndonjë koment.
Rojet Kufitare të Finlandës njoftuan të dielën se po punohet për të parandaluar mbytjen e anijes, ndërsa theksuan se nuk ka rrezik për trafikun detar në zonën përreth.
Të dielën, për shuarjen e zjarrit në anije po përdorej ende ujë, ndërsa autoritetet finlandeze bënë të ditur se në operacionet e ndihmës janë përfshirë edhe mjete nga Estonia dhe Rusia, raporton BBC.
Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, deklaroi se bazuar në të dhënat paraprake, në sulm janë përdorur dy drone, por shtoi se nuk ka “asnjë kërcënim” për furnizimet e këtij territori.
“Lufta po përhapet në zonat tona fqinje. Autoritetet finlandeze po e menaxhojnë situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dron ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit”, ka shkruar në rrjetin X kryeministri finlandez, Petteri Orpo.
Kurse, ministri i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, deklaroi se Roja Kufitare Finlandeze është përgjegjëse për hetimin e sulmit dhe po bashkëpunon me autoritetet e tjera përkatëse.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se është njoftuar edhe NATO-ja.
Sipas qeverive të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, anija “Sparta II” është nën sanksione nga SHBA-ja që nga viti 2022, si dhe nga Ukraina që nga fillimi i këtij viti, ndërsa operohet nga një kompani ruse.
Në faqen e saj të internetit, kompania thekson se është themeluar në vitin 2011, në kuadër të strukturës së Ministrisë ruse të Mbrojtjes, dhe se që nga viti 2015 operon brenda kompleksit të ndërtimit ushtarak.