Janë të paktën 21 viktimat si pasojë e valës së të ftohtit që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesa më e madhe e viktimave ka humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore. Temperaturat e ulëta kanë përfshirë dhe Kanadanë duke shkaktuar fenomene natyrore befasuese.
Vala e të ftohtit si pasojë e një ere që vjen nga Artiku, duke shkaktuar temperature në 50 gradë nën zero në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkaktuar të paktën 21 viktima. New York Times raporton për situatën duke shtuar se pjesa më e madhe e viktimave kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve, por dhe të moshuar që nuk kanë mundur të përballojnë temperaturat rekord.
Janë shumë shtetet amerikane ku janë regjistruar temperatura nën zero. Në Minesota në kontenë Koton temperatura mbërrin deri në minus -48 gradë. Një situatë e njëjtë është dhe në Ilinois. Në Mount Carol, një vend në perëndim të Çikagos, ku zjarrfikësit i kanë vënë zjarrin shinave të trenit për të lejuar kalimin e trenave, temperature arrin në minus 38 gradë, transmeton abcnews.
Në rajonin e liqeneve të mëdha, kushtet metereologjike janë shumë të pazakonshme, ku temperatura ka zbritur deri në minus 40 gradë, duke shkaktuar fenomene natyrale befasuese: blloqe akujsh kanë pushtuar kanalet duke u pozicionuar në brigjet e liqenit Miçigan. Vala e të ftohtit ka përfshirë dhe Kanadanë, e cila gjithashtu shënon një temperaturë prej minus 40 gradësh në disa zona të vendit dhe në ujëvarat e Niagarës në Ontario.