Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka lehtësuar aplikimin për kandidatët për rekrut të FSK-së. Certifikatat e Gjykatës dhe Policisë mund t’i paraqitni gjatë testimit. Mos e humbni afatin e konkursit, transmeton Gazeta Metro.
Për shkak të kërkesave të mëdha për pajisjen me certifikata në Gjykata dhe Polici, Ministria e Mbrojtjes u lejon kandidatëve të aplikojnë pa këto dokumente që të mos e humbin konkursin.
Këto dokumente sipas MFSK-së kandidatët mund ta paraqesin gjatë fazës së testimeve.
“Për shkak të kërkesave të shumta për pajisje me certifikata nga Gjykata dhe Policia e Kosovës nga kandidatët për rekrut në FSK, jemi njoftuar se Gjykatat dhe Policia nuk mund t’iu përgjigjen fluksit të madh të kërkesave për pajisje me këto dokumente në afatin e paraparë të konkurrimit”.
“Andaj i njoftojmë të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë se aplikacioni i tyre do të pranohet edhe nëse nuk i kanë certifikatën nga Gjykata dhe Policia e Kosovës. Kandidatët këto dy dokumente duhet t’i sjellin gjatë fazës së testimeve”, thuhet në njoftimin e MFSK-së.