Qeveria e Kosovës ka miratuar disa masa shtesë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Me kërkesën e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndërmarrjen e masave shtesë për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19.
Vendimi parasheh edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve private nga ora 10:00 deri në orën 16:00, dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, njofton Qeveria e Kosovës përcjell Klan Kosova
Mirëpo këtë gjë e ka kundërshtuar presidenti Hashim Thaçi, i cili këtë vendim e cilësoi si antikushtetues.
Thaçi kërkoi edhe nga Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës që të mos e respektojnë këtë vendim.
“Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet anti-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata. As policia e Kosovës dhe as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim antikushtetues, sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale”.
Klan Kosova ka kontaktuar nëpërmjet telefonit me gjeneralin e FSK-së, Rrahman Rama, rreth zbatimit të këtij vendimi.
“E respektojmë cdo vendim të shtetit, jemi në gatishmëri tu dalim në ndihmë qytatrëve , nuk do të ketë lëvizje të kota por kurdo që nevojitet ndihma jonë jemi në gatishmëri”.
“Presidenti është komandant suprem por ne e respektojmë vendimin e Qeverisë pasi që vendimi është i qartë që moslëvizja është për qytetarët dhe jo për ne si institucion”, deklaroi Rama.
Klani ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se nuk i komentojnë vendimet e Qeverisë.