A do t’ia dalin opozitarët ta kundërshtojnë si bllok Albin Kurtin për taksën?

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 16:33 | Nga Ekonomia Online

Nëse arrijnë që të merren vesh, partitë opozitare për herë të parë në këtë legjislaturë do të kundërshtojnë pozitën LV – LDK, duke thirrur seancë të jashtëzakonshme për taksën. Kjo me kërkesë të AAK-së që sot ka bërë të ditur se mbledhjen e nënshkrimeve veçse e kanë nisur.

Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk po pajtohet me paralajmërimin e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës se taksa 100 për qind e vendosur nga qeveria e kaluar do të hiqet.

Duke e thirrur reciprocitetin një proces abstrakt, deputetët e AAK-së sot kanë mbajtur një mbledhje urgjente të grupit parlamentar ku temë kyçe ka qenë tarifa 100 për qind.

Para mediave, deputeti Pal Lekaj pas takimit tha se janë duke u përgatitur për të thirrur seancë të jashtëzakonshme.

Ai madje shtoi se AAK-ja ka dhënë nënshkrimet e për këtë do të takohen edhe me partitë tjera opozitare.

“Kur jemi te nënshkrimet jemi në diskutim, Aleanca ka mbledhur nënshkrimet do të bisedojmë edhe me partnerët që të thirret seanca”, deklaroi Lekaj.

Mirëpo, dy partitë tjera opozitare, PDK dhe Nisma Socialdemokrate ende nuk e kanë vendosur nëse do të bashkojnë nënshkrimet me AAK-në.

Burime brenda partisë së Kadri Veselit kanë thënë për Express se për të vendosur për këtë do të mbledhin grupin parlamentar.

Njëjtë po deklarohen edhe në koalicionin NISMA – AKR. Të pyetur nga Gazeta Express nga ky grup parlamentar kanë deklaruar se nuk kanë diçka zyrtare, e se do të vendosin atëherë kur të marrin ftesë nga AAK-ja.

“Nuk kemi ende diçka zyrtare, kur të kemi diçka do të ulemi dhe ta diskutojmë”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Nismës, Haxhi Shala për Express.

Reciprociteti si zëvendësim për taksën do të jetë me gjasë një nga vendimet e para të qeverisë Kurti. Ai është kundërshtuar që nga përmendja prej opozitës aktuale AAK – PDK- NISMA.

Për të thirrur seancë të jashtëzakonshme, AAK-së i duhen nënshkrimet e 40 deputetetëve të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme