Çmimet e naftës shënuan rënie të enjten, pasi importuesja më e madhe në botë e kësaj lënde, Kina, i uli kuotat e importit për vitin 2022, duke e shmangur ndikimin e të dhënave të ShBA-së, që tregonin se kërkesa për karburante ka mbetur e qëndrueshme pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me variantin Omicron.
Çmimi në bursën Brent ra për 41 centë ose 0.5 për qind në 78.82 dollarë për fuçi, për herë të parë në katër ditët e fundit. Çmimi në bursën WTI ra për 33 centë ose 0.4 për qind në 76.23 dollarë për fuçi, pas gjashtë sesioneve të rritjes, shkruan Reuters.
“Sentimenti i tregut u dobësua shkaku i shqetësimeve se qeveria kineze mund të marrë masa më të rrepta kundër çajnikëve”, tha një analist i vendosur në Singapor, duke iu referuar rafinerive të pavarura.
Të dhënat e Administratës së Informacionit për Energji të Shteteve të Bashkuara treguan se inventarët e karburantit të papërpunuar ranë për 3.6 milionë fuçi në javën e përfunduar më 24 dhjetor, më shumë sesa ishte parashikuar nga analistët e anketuar nga agjencia Reuters.
Organizata e Shteteve Eksportuese të NAftës (OPEC) dhe aleatët e saj, grupi njohur si OPEC+, do të zhvillojë takim më 4 janar për të vendosur nëse do ta vazhdohet rritja e prodhimit në shkurt.
Mbreti Salman i Arabisë Saudite tha të mërkurën se marrëveshja e organizatës OPEC+ për prodhim është e nevojshme për qëndrueshmërinë e tregut të karburanteve dhe se prodhuesit duhet ta respektojnë paktin.