Taksa me maska : Kosova , si të vetmen masë mbrojtëse ndaj Serbisë fashiste i vendosi taksën prej 100% për mallrat e Aleksandar Vuçiqit dhe Dodigut , çetnikut të Bosnjes. Realisht , masa ishte një përgjigje politike e Kosovës ndaj sabotimit që po ia bënë Serbia në të gjitha dimensionet e që për këtë po e ka përkrahjen e mashtruesve të Brukselit , mafiozes politike Frederika Mogerini dhe rrenacakut bredhës , Johanes Han .
Në Kosovë , kundër taksës fuqishëm janë deklaruar dy individë me një të kaluar të lavdishme politike dhe kombëtare ; presidenti Hashim Thaçi që dikur i ka shërbyer shqiptarëve , Kosovës dhe Shqipërisë dhe Ramiz Kelmendi që e ka një të kaluar krejtësisht të kundërt me ate të Thaçit , duke mos i shërbyer as shqiptarëve , as Kosovës kurse për Shqipërinë nuk e besoj se ka dëgjuar më parë ! Kadri Veseli dhe sidomos Enver Hoxhaj , 100% e morën atësinë dhe mëmësinë për taksën 100% kurse tani , pasi janë ngritur temperaturat e që kanë ndikuar në shkrirjen e borës , kanë shumë mundësi ta bëjnë punën skllotë , Kadria po kërkon pezullimin e taksës për 120 ditë kurse Enveri nuk po dëgjohet fare , në vend të taksës e ka vendosur maskën ! Kryeministrit Haradinaj i kanë mbetur patatet e skuqura dhe përvëluese në duar , dhe , përkundër vuajtjeve të Tantalit , ende po i mbanë ! Tash , është bërë ekip i tërë që po e kundërshton taksën 100% , nga administrata Tramp e deri te musteqoshi Bolton , në kokë të të cilit po betohen Aleksandar Vuçiqi , Ivica Daçiqi dhe Hashim Thaçi . Madje , dyshi kriminal nga Serbia , Vuçiq – Daçiq po nguten të arrihet një marrëveshje gjatë sundimit të dyshes Trump – Bolton për faktin se duket të kenë siguruar mbështetje të favorshme për Serbinë e që është përcaktuese për mbijetesën politike të tyre për faktin se në Beograd dhe qytete tjera të Serbisë , për muaj të tërë ka protesta kundër autokratit Vuçiq , siç po cilësohet nga protestuesit. Në Kosovë e kemi një situatë tjetër sa u përket protestave, po mungon kapaciteti dhe kondicioni afatgjatë për organizimin e tyre ! Lëvizja Vetëvendsoje , organizimin e protestave e ka ndërlidhur me procesin e shtatëzënësisë duke organizuar protesta në çdo nëntë ( 9 ) muaj ! Sunduesi i botës dhe gjithësisë , Amerika , së fundi , posaçërisht dueti Tramp dhe Bolton e kanë një dashuri të rafinuar për Plazma Keksin dhe ujin Rosa prandaj kanë filluar t’i fusin sanksionet një shteti shumë të fuqishëm që po e rrezikon në politikat globale , ekonomike dhe politike.
Edhe ai shtet fillon me shkronjën K por nuk është Kina , siç realisht edhe mund të pritet por është Kosova , e lodhur fare për momentin dhe me pak gjasa të forcohet në një të ardhme të afërt. Duket se keksin e kanë parë në tavolinën e njërit prej këshilltarëve të presidentit Thaçi në takimet e fundit ku , sipas presidentit : “ të gjithë amerikanët flisnin me një zë apo se ishin alter ego e mendimeve të Thaçit dhe Vuçiqit …”., Kurse ujin Rosa e kanë parë mbi tavolinën e tajkunit Kelmendi , mendermethënë deputet , kur gjatë një deklarimi publik urbi et orbi , sikur Papë Françesku në sheshin Shën Pjetri në Vatikan , në emër të patriotizmit fliste se duhej të hiqej taksa 100% , pikërisht në të njëjtat valë me bashkpatriotin Hashim Thaçi , president apo pronarin real të Kosovës. Është interesant përputhshmëria e mendimeve , kërkesave si dhe motiveve për heqjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të dysheve ; Vuçiq – Daçiq , Thaçi – Kelmendi , Mogerini – Han dhe Tramp- Bolton . Pastaj , për heqjen e taksës janë disa deputetë dhe deputete , krenarë dhe krenare të PDK-së, e tërë Lista Srpska , me babën Putin , disa “ biznesmenë” kosovarë apo ramiza të vegjël si dhe ata që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e kotillës politike të Hashimit apo përfitues të grazhdit që thuaja është e njëjta gjë .
Po pse e bëjnë këtë dhe cili është fati i taksës apo taksambrojtësve : Mendoj se taksa e ka arritur qëllimin politik , kombëtar , ekonomik , sensibilizues , mobilizues dhe psikologjik ndonëse është shumë e vonuar . Kjo taksë është dashur të jetë në kokën e çdo shqiptari si pjesë e vetëdijes dhe ndërgjegjes njerëzore , kombëtare dhe morale , që nga përfundimi i luftës dhe , po të ishte kështu do ta kishim një situatë krejtësisht tjetër . Sot nuk do të flisnim , as për taksën e as për korigjimin e kufijve dhe nuk do të vuanim për viza. Kjo do të ndodhte po ta kishim një klasë politike që e kupton alfabetin elementar të politikës . Këtë klasë politike nuk e kishim dikur sikur që nuk e kemi as sot. Prandaj , 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë po pranojmë të bisedojmë për kufij dhe në këtë mënyrë po e shkërdhejmë kuptimin e pavarësisë së Kosovës. Po të flasim pak për çiftet e përfolura më lartë , për kërkesat dhe motivet e tyre .
Ramushi dhe taksa , pa maska : Po thonë se taksa që e kanë vendosur të tjerët e që ia kanë lënë në duar Ramushit qenka bërë për shkaqe politike. Mund të jetë edhe ashtu ,kur e luani rolin sikur që jeni politikan. Po edhe këta që po e kushtëzojnë heqjen e taksës , për çka e bëjnë këtë ?! Mendoni për shkaqe patriotike ! E dini se nuk është e vërtetë . Këta nuk kanë guxim të marrin përgjegjsinë dhe fshihen prapa topeve të Trampit dhe Boltonit . Ramushi po e paguan një çmim. Ia refuzuan vizën për Lutje të Mëngjesit për t’ia bërë terr para syve . Nuk e mori vizën dhe tani po lutet kur e vlerëson ai vet. Jo domosdoshmërisht lutja ndërlidhet me ato të mëngjesit. Erdhi mashtruesi shetitës , Johanes Han duke i bërë presion. Mogerini nuk do të dëgjojë më për të.
As Vuçiqi e as Hashimi. As ambasadorët amerikanë në Beograd dhe Prishtinë. Edhe gjenerali nga Iowa nuk erdhi në Kosovë , jo se qenkan bërë gabime ushtarake por që nuk po lejohet Plazma keksi dhe uji Rosa në Kosovë e që është interes jetik i paktit NATO. Edhe shefi i kësaj aleance ushtarako – politike , Jan Stoltenberg doli në mbrojtje të Plazma keksit dhe ujit Rosa duke treguar hidhërim të thellë pse kryeministri Haradinaj nuk po e hjek taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Nuk është e pamundur që NATO do të intervenojë ushtarakisht ndaj Kosovës , jo duke e bombarduar me bomba por duke e bombarduar nga ajri me Plazma keksa , ujë Rosa dhe prodhime tjera serbe. Si pikë koordinuese dhe referuese do ta kenë Çagllavicën dhe Kuçishten , me komandantë Hashimin dhe Ramiz Borën. Tash , nëse Ramushi nuk do të bindet do të bëhen përpjekje ta shkarkojnë dhe ta bëjnë një qeveri pa , Ramushin. Hezitimin kryesorë e kanë se aktualisht nuk po gjejnë zgjidhje pa Ramushin sikur që paraqet rrezik të madhe nëse LVV dhe AAK mbesin në opozitë për shkak të kapacitetit të madh destabilizuse por edhe stabilizues. Ai që destabilizon , mund edhe të destabilizojë ! Po të isha në vend të Ramushit , do ta hiqja taksën 100% dhe si kusht për vazhdim të bisedimeve do ta shtroja pikërisht temën e taksës 100%.
Nëse i lejohet Serbisë kushtëzimi , pse mos t’i lejohet edhe Kosovës ?! kundër Ramushit do të punohet në dy binarë ; i pari përpjekja për ta bindur ta heqë taksën me kërcënim të shkarkimit dhe , i dyti ta shfrytëzojë masën të drejtohet kundër tij me pretekstin se po na prishë me miqtë ndërkombëtarë duke në vënë në pozicion kundër krejt botës. Kështu ishte vepruar ndaj Bacës Adem Demaçi që e bënin fajtor për të gjitha viktimat gjatë Konferencës së Rambujesë dhe ndaj të cilit u vërsulën thuaja të gjithë me tituj : “ Adem Demaçi kundër krejt botës “.
Ka pohime se Ramushi po sillet sikur të ishte pronar i Kosovës kur të gjithë e kanë të qartë se aktualisht tapinë apo pronësinë reale mbi Kosovën e ka Hashim Thaçi prandaj ai po flet për korigjim të kufijve dhe pallavra tjera territoriale. Mendoj se Ramush Haradinaj duhet ta hjek taksën 100% për mallrat serbe vetëm me një kusht ; të bëhet udhëheqës i Ekipit Negociator dhe ta ndryshojë përbërjen e këtij Ekipi që aktualisht ësht kondom i Hashimit , për një përdorim apo disa përdorime. Përjashtuar këtu tre persona , pjesë e Ekipit Shtetërorë Negociator , të tjerët janë sekserë , antikombëtarë , hajdutë dhe kriminelë . Si të tillë ata nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht por do ndjehemi të turpëruar nga ky përfaqësim. Dhe , pa asnjë dyshim , kjo përbërje shumë e dyshimtë dhe kriminale e Ekipit Negociator , me atributin shtetërorë, nëse vjen puna ta rrahin pykën me pykë , do ta ulin pazarin shumë më shumë se Hashimi .
Krejt për fund lexues të nderuar. A e shihni normale dhe të nevojshme ta festoni 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës kur kufijtë e saj janë nxjerrë në ankand publik , me një çmim qesharak dhe ku pavarësinë e saj po e dhunojmë ne që jemi të thirrur ta mbrojmë ate ! Kufijtë nënkuptojnë integritetin territorial kurse ky integritet garanton shtrirjen e sovranitetit ! A po e bëjmë këtë apo pikërisht të kundërtën ?!