Gjatë vitit 2018, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Të dhënat, bazohen në shënimet e Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku thuhet se gjatë vitit 2018, kanë lindur 9.985 foshnje, prej të cilave 65 nga nënat e moshës jo madhore.
Ndërkaq, gjatë këtij viti, në periudhën 1 janar-26 shtator, kanë lindur 7,176 foshnje, ku prej tyre 26 foshnje nga nënat e moshës jo madhore.
Jo rrallë, sociologë dhe psikologë kanë ngritur si temë çështjen e edukatës seksuale si lëndë që do të duhej të përfshihej në shkolla. Por, deri më tani, Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk e kanë përfshirë këtë lëndë. Një nga arsyetimet ka qenë se për edukatën seksuale mësohet në disa nga lëndët aktuale.
Dea (emri i plotë i njohur për REL-in) është nxënëse e shkollës së mesme dhe thotë se sa i përket informimit përmes sistemit arsimor, apo informatave nga familja rreth edukatës seksuale, ato janë nën zero.
“Sa u përket njohurive që i kam marrë prej arsimit ose familjarëve, mund të them jam informuar zero për qind. Por, është interneti dhe sot mund të hulumtosh gjithçka dhe jam e njoftuar pak a shumë për edukatën seksuale, nëse kam pasur interesim për diçka. Mendoj që prej shkollës fillore duhet të fillojë të aplikohet lënda e Edukatës seksuale, në sistem të arsimit. Kjo për shkak të mungesës së njohurisë për këtë fushë dhe shumë të mitur mund të marrin sëmundje të transmetueshme seksualisht, por edhe ka raste të shtatzënive”, thotë Dea.
Në përpjekje që t’i ndihmojnë të rinjtë me informata në lidhje me edukatën seksuale, tri studente nga Fakulteti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës janë bërë bashkë dhe kanë krijuar një aplikacion të quajtur “Shnet”. Ky aplikacion, është bërë në bashkëpunim me UNICEF-in, dhe mund të shkarkohet falas, ndërsa është i pari i këtij lloji në Kosovë.
Njëra nga themelueset, Tuena Govori, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kanë mbajtur vullnetarisht ligjërata në shkollat e mesme të Kosovës, dhe në bazë të gjetjeve, kanë ardhur në përfundim se të rinjtë kanë fare pak njohuri për edukimin seksual.
Ajo potencon faktin se sidomos për sëmundjet që mund të barten seksualisht, të rinjtë kanë shumë ngecje për shkak të mungesës së informacioneve.
“Sa është i nevojshëm aplikacioni, e kemi vërejtur gjatë prezantimit në shkollat e mesme të Kosovës, ku nxënësit kanë shumë pak njohuri mbi edukatën seksuale. Mendoj se është shumë e domosdoshme futja e lëndës për këto tema në shkolla. Për shembull, në lëndën e Biologjisë shumë pak flitet për këto tema. Projekti është financuar nga UNICEF-i dhe të gjitha informacionet (në aplikacion) janë rishikuar prej profesionistëve shëndetësorë, si gjinekologë, psikologë e të tjerë”, thekson Govori.
Në anën tjetër, Mimoza Shahini, psikologe, thotë se si mungesë e informacionit për edukatën seksuale, janë shtuar rastet e shtatzënive të padëshiruara nga të miturit, kryesisht nxënëse të shkollave të mesme.
“Futja e lëndës së Edukimit seksual në shkolla, është një domosdoshmëri për fëmijët e sotëm, për aftësim për jetë. Në shkolla është folur në mënyrë sipërfaqësore. Mosha e fëmijëve në hyrje në marrëdhënie seksuale është rreth 13 vjeç dhe është naivitet nëse këta më parë nuk edukohen për një gjë të tillë”, thotë Shahini.
Ajo thotë se një nga pasojat e shtatzënive të hershme është vërejtur të jetë braktisja e fëmijëve nga nënat, pasi që ato janë shumë të reja në moshë.
“Andaj, mendoj se lënda e Edukimit seksual do të ishte domosdoshmëri”, vlerëson Shahini.
Ndërkohë, edhe Fehmi Krasniqi, koordinator për shkenca natyrore në Ministrinë e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, njëherësh hartues i rezultateve për edukatë seksuale, ka thënë se futja e lëndës së Edukatë seksuale në shkolla, është e nevojshme. Sipas tij, për këtë lëndë janë duke u trajnuar tashmë edhe mësimdhënësit.
“Kjo ka filluar si lëndë e integruar në tri lëndë, në Biologji, Edukatë qytetare dhe Edukatë fizike. Por, a do të mund të hyjë si lëndë e veçantë, mbetet të merret vendimi politik nga Qeveria. Mendoj se është një nga lëndët më të nevojshme”, ka thënë Krasniqi, kohë më parë për Radion Evropa e Lirë.
Aktualisht, mësime në lidhje me edukatën seksuale, trupin dhe gjininë ka në tekstet aktuale shkollore, por janë të shpërndara në lëndë të ndryshme.